image Rasti i Astrit Deharit kalon nga Prokuroria e Prizrenit në Prokurorinë Speciale

Kosovë

Drejtësi/ Rasti i Astrit Deharit kalon nga Prokuroria e Prizrenit në Prokurorinë Speciale

news image

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit, të kaloj nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), raporton Gazeta Sinjali.

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale. 

Me anë të këtij vendimi, bartës i kësaj lëndë do të jetë u.d Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe do të mbështetët nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, mbikëqyrja e këtyre prokurorëve në trajtimin dhe progresin e veprimeve të ndërmarra në këtë çështjeje paraprake penale do të bëhet nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. 

Po ashtu, bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkoj që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ai dyshohej për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Vdekja e tij kishte ndodhur në rrethana misterioze, ekspertiza nga Zvicra ka kërkuar hetim të ri pasi nuk e ka përjashtuar mundësinë e një personi tjetër të përfshirë në vdekjen e Deharit. /Gazeta Sinjali/