image Rastet kur lejohet qarkullimi edhe gjatë orës policore

Kosovë

Rastet kur lejohet qarkullimi edhe gjatë orës policore

news image

Nga data 13 deri më 26 shtator do të vazhdojë kufizimi i lëvizjes për qytetarët sikur deri më tash nga ora 22:00 deri 05:00 të mëngjesit.

Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës nga kufizimi i lëvizjes përjashtohen rastet e natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi); qarkullimi për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike, personeli i ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Po ashtu nga kjo masë përjashtohen personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit, personat ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.

Punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit t’iu zgjatet përkohësisht, thuhet në vendim. /Gazeta Sinjali/