Kina ka mbyllur qytetin Shulan pas rritjes së numrit të rasteve të reja me Covid-19.
Në qytet u konfimruan 11 raste të reja gjatë ditës së kaluar, të gjitha të lidhura me një grua të infektuar e cila punonte në një lavanderi, thanë mediat shtetërore.
Pacientja 45-vjeçare, e cila ka infektuar burrin e saj, motrat dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, thuhet se nuk ka pasur histori udhëtimi së fundmi, shkruan BBC.
Të gjitha vendet publike nëpër qytet janë mbyllur dhe banorëve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Transporti publik është pezulluar dhe qyteti i Shulan është klasifikuar si vend me rrezik të lartë për përhapjen e virusit.
Shulan është në provincën Jilin, dhe ndodhet në kufirin me Korenë e Veriut, e cila pretendon se nuk ka raste me Covid-19.
Virusi vdekjeprurës u shfaq për herë të parë në qytetin kinez të Wuhan në fund të vitit 2019.
Deri më tani në Kinë janë shënuar 4,669 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 82,918 të infektuar./Gazeta Sinjali/