image Rashiq: Në ditët e ardhshme Srpska do të jetë më mizore, po largon njerëz nga puna

Kosovë

Zgjedhje/ Rashiq: Në ditët e ardhshme Srpska do të jetë më mizore, po largon njerëz nga puna

news image

Bartësi i listës së koalicionit “Liria”, subjekt ky politik garues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Nenad Rashiq, është politikani i parë dhe i vetëm serb që ka shpallur kandidaturën për kryeministër të vendit. Siç thotë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kjo kandidaturë do të jetë test për demokracinë në Kosovë, por edhe për vetë atë si politikan.

Rashiq thotë se taksa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë duhet të hiqet dhe të nisë dialogu ndërmjet dy vendeve. Por, sipas tij, nismëtar të këtij dialogu duhet të jenë vetë serbët e Kosovës, të cilët duhet të përfshihen në këtë proces drejt arritjes së pajtimit të dy popujve, shqiptar dhe serb.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Rashiq, ju jeni kandidat i koalicionit “Liria”, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Fillimisht, a mund të na thoni, pse qytetarët duhet t’ju votojnë ju për kryeministër?

Nenad Rashiq: Para së gjithash, mendoj që për shkak se jemi, sipas standardeve të mia, lista më kualitative, sepse kemi njerëz që kanë mjaft përvojë, duke filluar nga unë që jam bartës i listës, sepse jam në institucionet e Kosovës, gjegjësisht, në politikë, tash e 15 vjet. Mendoj që për këtë kohë kam treguar që mundem të jam i përkushtuar ndaj punës time, të jam profesional, të jam i njëjtë me të gjithë dhe të jam njeri, i cili në secilin kuptim të fjalës, është një përfaqësues i demokracisë evropiane.

Përveç kësaj, konsideroj që ne, me atë që përfaqësojmë në programin tonë, jemi ajo mbështetja për të rinjtë dhe për zhvillimin institucional brenda institucioneve të Kosovës, deri te forcimi i vetë vlerave morale, jetesës së përbashkët dhe drejtimit të veprimit, i cili në një moment do të sillte deri te pajtimi ndërmjet dy popujve. Pra, të gjitha këto janë aktivitete që i kemi paraparë dhe mendoj që secila prej tyre është mjaft e rëndësishme. Ajo që është më e rëndësishmja, që e përmenda pak më parë, është ajo që ne mëtojmë pajtimin e dy popujve, gjë që do të ishte vërtetë historike.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë prioritetet e juaja?

Nenad Rashiq: Ne kemi thënë që menjëherë pas zgjedhjeve konsiderojmë që do të jemi pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe do të iniciojmë dialogun. Kur po e përmendi dialogun, mendoj që në dialog duhet të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës, të cilët do të jenë nismëtarët dhe propozuesit e të gjitha ndryshimeve potenciale dhe ideve potenciale. Me këtë, brenda vet institucioneve të tregojnë një seriozitet dhe përgjegjësi, gjë që fatkeqësisht, deri më tash, në pesë apo gjashtë vjetët e fundit, unë nuk e kam parë të ekzistojë te përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në zgjedhjet e deritashme, ju jeni kandidati i parë dhe i vetëm nga komuniteti serb që e shpallni kandidaturën për kryeministër të Kosovës. Besoni se mund të merrni përkrahjen e shumicës për këtë pozitë?

Nenad Rashiq: Gjithmonë duhet besuar, ndonëse kjo në këto rrethana, dihet se është mjaft vështirë, sepse shoqëria jonë ende nuk është e përgatitur që të pranojë dikë që nuk vjen nga populli shumicë që të jetë kryeministër. Por, siç unë dua ta quaj këtë, ky është test i demokracisë në Kosovë dhe testim edhe për mua personalisht, se a mund të jem në atë nivelin e barabartë siç janë edhe kandidatët tjerë. Dhe e treta, ne kemi dashur që me këtë ta bazojmë idenë, për të cilën është folur më herët dhe kam folur edhe unë për të, që në të ardhmen do të pretendojmë që njëra nga tri pozicionet që janë: kryeministri, presidenti i Kosovës dhe kryetari i Kuvendit, të jetë e qasshme për serbët. Kjo do të thotë që ne tash të shtrojmë apo të bëjmë rrugën për diçka që mund të ndodhë, madje, ndoshta në zgjedhjet e ardhshme ose në zgjedhjet e mëvonshme. Kryesisht, ky është një proces afatgjatë, i cili sipas mendimit tim duhet të ndodhë, herët ose vonë, në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë kushtesh është duke e bërë fushatën koalicioni “Liria”?

Nenad Rashiq: Kushtet janë, të paktën të themi, jonormale. Me siguri e dini sipërfaqësisht, por ajo që nuk e dini është që çdo ditë dikush është larguar nga puna për shkak se nuk është lojal ndaj Listës Serbe. Çdo ditë, nuk ka njeri që nuk është ftuar të paktën pesë herë. Këtë po e them për vetëm deri tash. Ndërkaq, në disa nga ditët e ardhshme do të jenë edhe më mizorë. Do të thotë, kushtet janë absolutisht jonormale. Unë nuk e di se si këto zgjedhje, pas përfundimit të tyre, do të mund të prezantohen si demokratike dhe se si ato rezultate do të mund të prezantohen si adekuate, sepse situata në terren është e tmerrshme. Mua më vjen keq për qytetarët e mi që u duhet të përjetojnë gjithë këtë. Sinqerisht, më shumë jam i brengosur për ta se sa për veten personalisht.

Radio Evropa e Lirë: Keni deklaruar se ndjeheni i kërcënuar. Kush dhe për çfarë ju kanë kërcënuar?

Nenad Rashiq: Jo, nuk e kam thënë ashtu. Kam thënë që mënyra se si po zhvillohet fushata, e ngritë në atë nivel rrezikun, sa që kam frikë se dikush do të mund të paguajë çmimin më të lartë, ashtu siç e ka paguar zotëri (Oliver) Ivanoviq rreth një vit më parë. Për këtë kam thënë që qytetarët janë aq shumë të shantazhuar dhe aq shumë janë kërcënuar, sa që është e padurueshme. Ndërkaq, sa më përket vetëm mua, po flas në emrin tim, askush nuk më ka kërcënuar. Unë jam njeri parimor dhe mendoj që këtë e dinë edhe ata, si dhe se e dinë që nuk mund të më kërcënojnë.

Radio Evropa e Lirë: Përmes një video-mesazhi zgjedhor, në gjuhën shqipe, ju keni ftuar qytetarët, përfshirë edhe ata shqiptarë që t’ju votojnë juve dhe koalicionin e juaj. Kjo ka nxitur reagime të ashpra në mediat në Serbi, të cilat janë përcjellë edhe me komente ofenduese. Si i komentoni këto komente?

Nenad Rashiq: Së pari, ne e kemi bërë video-klipin për shkak se liria është qëllim i të gjithë neve, pa marrë parasysh se a jemi serbë, shqiptarë apo turq. Kur kemi thënë ‘liria’, do të thotë liri e të folurit, liria e shprehjes, liria e veprimit politik, liria nga korrupsioni, nga kriminaliteti. Unë jam i sigurt që të gjithë qytetarët mund ta gjejnë veten në këtë. Kur e kemi bërë video-klipin, kam dëshiruar, ashtu siç zakonisht bëhen në shoqëritë demokratike, që t’u drejtohem drejtpërdrejtë qytetarëve, të cilët, siç thatë edhe ju, janë të nacionalitetit shqiptar, sepse konsideroj që ekzistojnë elemente të njëjta, të cilat i pretendojnë edhe shqiptarët, por edhe serbët. Unë kam tentuar ose po tentoj që ato elemente t’i përfshij në një forcë, e cila me siguri që ekziston dhe mund të ekzistojë në një shoqëri demokratike. Ky ka qenë qëllimi im kryesor. Ndërkaq, këto reagimet, të cilat kanë qenë ofenduese, më besoni që nuk janë asgjë e re. E kam ditur që kjo do të ndodhë dhe do të ketë edhe më shumë reagime të tilla tash në ditët në vijim. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të ndaleni. Kjo tregon vetëm atë se çfarë janë ata. Ne e kemi një shprehje, e cila thotë “njeriut, me dhunë mund t’i marrësh diçka, por nuk mund t’i japësh”. Unë, thjeshtë, atyre njerëzve nuk mund t’u jap kulturë dhe edukim.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. Shkak për këtë konsiderohet taksa prej 100 për qind për mallrat serbe, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës. Sipas jush, a duhet të pezullohet apo hiqet krejtësisht taksa?

Nenad Rashiq: Po, unë këtë e kam propozuar. Madje, ditën e parë kur është vendosur taksa, kam thënë që kjo lëvizje ka qenë mjaft e nxituar dhe se nuk ka pasur nevojë për të, sepse i ka sjellë në një rrugë qorre të gjitha bisedimet, ndërkohë që e dimë që kjo është çështje mjaft e rëndësishme. Taksat duhet shfuqizuar gjithsesi dhe duhet të nisë dialogu. Por, siç thash, dialogun duhet, ndoshta jo që ta udhëheqin, por ta iniciojnë serbët e Kosovës. Duhet që serbët e Kosovës të jenë pjesë e dialogut, i cili në fund do ta ketë për qëllim pajtimin. Kjo është më e rëndësishme.

Dialogu, si i tillë, si formë, nuk është i rëndësishëm nëse nuk e ka për qëllim pajtimin. Ne dëshirojmë që në atë dialog, përveç faktorëve që janë tash, të përfshijnë edhe dialogun fetar ndërmjet Bashkësisë Islame (të Kosovës) dhe Kishës Ortodokse Serbe, që do të jetë gjithashtu mbështetje për krejt dialogun. Duke folur nga ana e serbëve të Kosovës, ne mbështetemi mjaft në kishën dhe kjo ka qenë kështu me shekuj edhe më parë.

Cili nga kandidatët për kryeministër do të bisedojë me Serbinë dhe në ç’mënyrë?

Prandaj, mendoj që secili dialog duhet t’i përfshijë edhe bashkësitë fetare, pikërisht për këtë shkak, në mënyrë që ai dialog në esencë dhe pajtimi të jetë relevant. Vetëm nëse punojmë ashtu, dialogu dhe pajtimi janë relevantë. Nëse punojmë vetëm për formë, kjo do të mbetet vetëm shkronjë e vdekur në letër.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo që roli i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është ky?

Nenad Rashiq: Shikoni, ne do të duhej të përfshiheshim në dialog, në çfarëdo rasti. Se çfarë do të na sjellë kjo, unë në këtë moment nuk e di. Por, vetëm dialogu, në të cilin janë të pranishëm serbët e Kosovës mund të jetë relevant dhe i dobishëm. Këta dialogët e tjerë, përfundimisht ata që i kemi pasur deri më tash – po ju përkujtoj, që kemi gjashtë vjet e gjysmë të dialogut të Brukselit – nuk kanë sjellë asgjë as pas gjashtë vjetësh. Nuk kemi pasur asnjë përfitim. Kështu është për shkak se serbët e Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në gjithë procesin dhe nuk kanë iniciuar ata vet idetë, propozimet, planet e aksionit, gjë që është më e rëndësishme pikërisht në terren.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se janë pjekur kushtet për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Nenad Rashiq: Fatkeqësisht jo. Nuk janë arritur kushtet. Por, sipas të gjitha gjasave, fuqitë perëndimore do ta bëjnë këtë në mënyrën siç e kanë zakon, që t’i ulin diku rreth tavolinës dhe që thjeshtë ta bëjnë prerjen ata vet. Sërish, ky do të jetë opsioni më i keq, sepse ne nuk jemi të përfshirë në të gjithë atë proces dhe sërish, gjërat më të rëndësishme ose të drejtat më të rëndësishme nuk do të ruhen pikërisht për shkak se nuk jemi pjesë e procesit. Këtë tashmë e kanë paralajmëruar dhe e dini edhe vet që madje, tashmë edhe të dy palët po flasin që një lloj marrëveshje do të duhej të sigurohet në katër apo pesë muajt e ardhshëm. Madje, supozohej që do të arrihej edhe para fundit të vitit po që se nuk do të ndodhte dorëheqja e kryeministrit. Prandaj, kemi pak kohë dhe duhet të kyçemi menjëherë sot, në mënyrë që të ndikojmë në gjithë procesin.

Radio Evropa e Lirë: Edhe pas këtyre zgjedhjeve pritet që të ketë koalicione për qeverisjen e vendit. Me kë preferoni të hyni në koalicion qeverisës dhe me kë jo?

Nenad Rashiq: Sinqerisht mendoj që nuk është edhe aq me rëndësi se kush do të jetë kryeministër, sa është me rëndësi ajo se si ne do të sillemi, çfarë strategjie do të kemi dhe cilën marrëveshje koalicioni do ta arrijmë eventualisht. Ndërkaq, sipas asaj marrëveshje koalicioni, ku do të sqaroni se si i mbrojmë të drejtat tona, ai kryeministër, kushdo që do të jetë, do të pranonte këtë si një dokument të mirë. Nuk do të luajmë me politikën. Ne do të bëjmë një marrëveshje të vërtetë dhe serioze të koalicionit, e cila do të ketë për qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve – para së gjithash të serbëve, por jo në dëmin e qytetarëve tjerë të Kosovës – dhe si e tillë, e miratuar, do të përcillet në çdo moment se çfarë kemi bërë me të. Që t’ju përgjigjem shkurtimisht, pra, kushdo qoftë që të bëhet kryeministër, ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë, duke u respektuar edhe parimet tona apo kërkesat tona, të cilat do t’i sjellim para jush. Mendoj që cilido kryeministër që është serioz, me siguri që do t’i vlerësojë dhe do t’i pranojë propozimet tona.