Kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDS) Nenad Rashiq thotë se vizita e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Prishtinë, kishte për qëllim të bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, Rashiq ka vlerësuar se për të avancuar dialogun, Kurti do të duhet të largohet nga pozicioni i aktual dhe të tregojë gatishmëri për ide dhe iniciativa të reja për të kaluar nga bunkerizimi, siç thotë ai, në fushën reale të dialogut politik.
Kryetari i PDS-së mendon se temë e bisedimeve mes dy emisarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës mund të ketë qenë edhe mbajtja dhe organizimi i zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ai thekson se mesazhi që Escobar ia konfirmoi apo premtoi kryeministrit Kurti, është se koncepti i ardhshëm i AKS-së nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë një hap përpara që mund të kontribuojë në vazhdimësinë dhe shtimin e dinamikës së dialogut.
“Vërtet mendoj se është shumë shqetësuese dhe irrituese që kryeministri Kurti është bunkerizuar politikisht dhe nuk tregon gatishmëri për asnjë ide, ndonjë risi dhe iniciativë që mund të rezultojë në një mirëkuptim të përbashkët, apo nga fusha e bunkerizimit të kalojë në një fushë tjetër të dialogut real që mund të rezultojë me ndryshime, ose së paku ofrim të ideve se si duhet të duket ai Asociacion i Komunave Serbe. Mendoj se kjo nuk i bënë dobi askujt, veçanërisht serbëve të Kosovës në planin afatgjatë, dhe jam gjithashtu i sigurt se as shqiptarëve të Kosovës dhe as kryeministrit Kurti nuk ju shkon në favor ajo që unë e quajta bunkerizim politik”, tha Rashiq.
Rashiq po ashtu thekson se nuk ka gatishmëri për të zbatuar rekomandimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2015, i cili thekson se AKS duhet të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Ai thotë se është i sigurt se mund të gjendet një mënyrë për të sugjeruar se si duhet të duket një dokument i tillë që të jetë i pranueshëm për të dyja palët negociuese.
“Por prapë po kthehemi në fillim. Nuk ka vullnet nga asnjëra anë. Në këtë rast, mendoj se, po e përsëris, ky ‘bunkerizim’ nuk i shkon askujt në favor dhe mendoj se vetë Escobar, do të përdor termin tonë popullor, për t’i dhënë shtytje kryeministrit dhe të tjerëve nga ai pozicion, duke filluar nga Kryetari i Kuvendit dhe të tjerët, për t’ju bërë të qartë se kjo është një situatë serioze dhe se ndoshta është koha për të bërë diçka në këtë drejtim, sepse besoj se administrata Biden, e cila tani është e re, dhe kjo vizita e parë e Escobarit, besoj se do të jetë më konkrete se të mëparshmet. Shpresoj se kjo do të kontribuojë dhe së paku do të rrisë dëshirën për disa hapa më konkretë në drejtimin e mëtutjeshëm të formimit të AKS-së”, tha Rashiq.
Kreu i PDS-së kujton se serbët e Kosovës kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet e të dyja vendeve sipas Kushtetutës së Kosovës dhe planit të Marti Ahtisaarit për shtetësinë e dyfishtë, dhe se një nga të drejtat themelore të njeriut është të votojë në zgjedhjet në vendin ku ai është shtetas.