Ylli kosovar, Milot Rashica do bëjë paraqitjen e 35-të për Kombëtaren e Kosovës dhe ka folur para kësaj përballje.
Rashica ka folur për faqen zyrtare të Norwichit, para këtij takimi shumë të rëndësishëm.
Rashica ka folur për kohën e luftës dhe ndeshjen e radhës, derisa edhe iu ka rekomanduar tifozëve ta vizitojnë Kosovën.
“Lufta ishte moment shumë i vështirë. Isha dy vjeç kur lufta nisi, pra uk më kujtohet shumë por kemi folur me familjarët dhe njerëzit që ishin aty dhe kanë kujtesë mjaftë të mirë”.
“E di që familja ime u detyrua të largohet nga Kosova për në Shqipëri për disa muaj dhe pastaj kur u rikthyen gjithçka ishte e djegur. Shtëpia dhe gjithçka. Duhej të nisnim nga zero dhe ishte moment i vështirë për familjen dhe të gjithë ne”.
Ky moment i vështirë për Rashicën është i rëndësishëm, kështu që ndihet krenar kur e veshë fanellën “Dardane”.
“Mendoj që gjërat që ndodhën aty, jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e tjerë na ka bërë më të fortë. Tani, Kosova është shtet i mirë dhe ka shumë njerëz që shkojnë aty për vizitë, njerëzit janë miqësorë dhe do t’iu rekomandoja”.
“Kam qenë një ndër lojtarët që jam te Kombëtarja që nga ndeshja e parë. Është krenari për mua sepse njerëzit kanë luftuar për këtë moment, që të jemi të lirë dhe të luajmë me shtetet e tjera”.
“Shumë njerëzit kanë vdekur dhe është krenari për të gjithë ne sa herë që e veshim fanellën e Kosovës. Jemi në rrugë të duhur, jemi shtet i ri, por me shumë potencial”, ka thënë Miloti.
Ndërkohë, ka mbetur edhe pak që të nis takimi mes Suedisë dhe Kosovës.