Edhe pse i kishin të konfirmuara vizitat nga Njësia e Paraburgimit e Gjykatës Speciale, shumë familjarëve dhe miqve të krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, sot ato u janë anuluar pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit.
Me dhjetra persona që këto ditë kishin vizita të konfirmuara në Hagë, të cilët kanë bërë shpenzime me blerjen e biletave të fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: ‘’Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar’’.
Kanal 10 ka mësuar se vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.
Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për ‘’Vizitat dhe komunikimet’’ të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.
Po ashtu, siç nuk ndodh askund në botë, shumë përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së që thjeshtë dëshirojnë të shkojnë për t’i takuar dhe vizituar ata në Qendrën e Paraburgimit, kohëve të fundit po iu refuzohen aplikacionet me arsye banale, kinse në formularët e tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë afërsinë, pa u pyetur fare të paraburgosurit nëse duan apo jo t’i pranojnë si vizitorë.
Përkundër që procesi gjyqësor po zvarritet tejmase shumë, në Kosovë është rritur agresiviteti i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me bastisje dhe sekuestrime telefonash.
Deri më tani nga trupi gjykues janë dëgjuar vetëm 37-të dëshmitarë, ndërkohë që ish-krerët e UÇK-së i kanë bërë këtë muaj tri vjet qëndrim në paraburgim.