image Raportimi i Sinjalit/ Ndërpritet dasma në Prizren, lokali gjobitet e mysafirët shpërndahen

Siguri

Raportimi i Sinjalit/ Ndërpritet dasma në Prizren, lokali gjobitet e mysafirët shpërndahen

news image

Pas raportimit të Gazetës Sinjali se në restorantin “Premium Lindi” në Prizren po mbahet dasmë e madhe, ka intervenuar Policia e Kosovës dhe Inspektorati. Lokali është gjobitur, derisa mysafirët janë shpërndarë.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Policia rajonale e Prizrenit, si dhe kanë njoftuar se lokali është gjobitur bazuar në ligjin antiCOVID, ndërsa personat që kanë marrë pjesë në këtë aheng familjar janë shpërndarë.

“Lokali është gjobitur, mysafirët janë shpërndarë. Gjoba është shqiptuar në bazë të ligjit antiCOVID. Në vendin e ngjarjes janë Policia e Kosovës dhe Inspektorati”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Sinjalin.

Lidhur me këtë rast për Sinjalin ka folur zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, i cili tha se lokali është mbyllur, derisa i është shqiptuar gjobë prej 2000 euro, kurse organizatori është dënuar me 200 euro.

“Sonte kemi pranuar informatën se në një restaurant, sallë dasmash në Prizren është duke u organizuar një dasmë, si organ i ligjeve zbatuese, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektoratit Sanitar, zyra Regjionale në Prizren bashkë me Policinë e Kosovës kemi shkuar për të kontrolluar, dhe në këtë rast është hasur duke u mbajtur një aheng familjar, dasmë. Inspektorët menjëherë kane ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore bazuar ligjin antiCOVID-19. Subjektit juridik i është shqiptuar gjoba prej 2000 euro ndërsa personit fizik si organizator 200 euro. Përveç gjobave inspektorët kanë urdhëruar zbrazjen e menjëhershme të lokalit, shpërndarjen e mysafirëve dhe menjëherë ka pasuar mbyllja e lokalit me proces”, tha ai.

“Në secilin rast kur inspektorët hasin në organizime të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe masat të vendosura nga Qeveria e Kosovës do të veprohet pa përjashtim. Bashkë me Policinë jemi të koordinuar dhe duke vepruar për të penguar grumbullimet e njerëzve, kudo në hapësira të mbyllura“, shtoi Thaçi.

Video e dërguar nga sinjalizuesit:

/GazetaSinjali/