Pasi Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për arrestimin në flagrancë të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit, e cila u kap në Aeroportin e Prishtinës, duke tentuar që të dërgojë në Gjermani material të falsifikuar zgjedhor, kanë reaguar nga kjo parti.
Dega e AAK-së në Junik ka shkruar se distancohet nga “çdo veprim i kujtdo që në çdo formë tenton ta njollosë procesin zgjedhor!”
Nga kjo parti kanë bërë “thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta zbardhin të vërtetën deri në fund.”
Për këtë rast, Sinjali raportoi se të dyshuar janë edhe disa zyrtarë të komunës së Junikut dhe disa aktivistë të AAK-së në diasporë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dokumentacioni dyshohet se është falsifikuar dje, gjatë paradites në zyrat e komunës së Junikut, shkruan Gazeta Sinjali.
Si u kap Blerina Sallaj dhe çka i gjeti Policia
Ajo ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.
Sallaj ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.