image Raportimi i Sinjalit ia ndalë punën e testimeve për koronavirus laboratorit privat në Prishtinë

Kosovë

Raportimi i Sinjalit ia ndalë punën e testimeve për koronavirus laboratorit privat në Prishtinë

news image

Laboratori privat në Prishtinë, “Avicena KS”, e ka ndalur punën me testime për COVID-19, pas raportimit të Gazetës Sinjali se ky laborator po e zhvillonte këtë aktivitet pa leje nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Sinjali kishte thënë se nuk e ka aprovuar një testim të tillë dhe se testimet për koronavirus kryehet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa pas kësaj laboratori ka njoftuar se i ka pezulluar testimet.

“Avicena- KS ju lajmëron që në për momentin i ka pezulluar terminet për arsye të disa deklarimeve nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, ashtu që drejtoria e laboratorit ka vendosur t’i pezullojë të gjitha terminet për një kohë derisa të sqarohet situata e krijuar me Ministrinë e Shëndetësisë.. Në momentin që do të fillojmë testimet, do t’ju kontaktojmë dhe informojmë për termimin tuaj”, thuhet në njoftimin e laboratorit.

Gazeta Sinjali ishte mediumi i parë që raportoi të premten se nga e mërkura e javës së kaluar, laboratori “Avicena KS” në Prishtinë po ofronte testime të shpejta rapide për COVID-19. Siç njoftohej, këto testime bëheshin për 10 minuta, ndërsa rezultatet merreshin maksimalisht pas dy orësh përmes e-mailit. Për këtë shërbim, “Avicena KS” kërkonte 20 euro, ndërsa ata që donin të testoheshin, duhej të caktonin paraprakisht një termin në këtë laborator.

Në ofertën e publikuar në Facebook e Instagram, thuhet se laboratori ka marrë leje për t’i bërë këto testime. Ndërkohë, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Ministria e Shëndetësisë të premten pasdite ka mohuar se ka aprovuar një formë të tillë të testimit.

“Laboratori ynë ka marrë leje dhe është përgatitur me të gjitha kapacitetet për të bërë testimin për COVID- 19”, shkruhej në postimet e “Avicena KS”.

Por MSH ka thënë se nuk ka aprovuar asnjë lloj testi tjetër përveç testimeve me RT-PCR që kryehen vetëm në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Madje, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se testimet e tilla që po ofrohen nga “Avicena KS” nuk i ka aprovuar as Organizata Botërore e Shëndetësisë. /Gazeta Sinjali/