Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka komentuar Raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023.
Tahiri tha se raporti i DASh-it nuk u trajtua me seriozitet.
Ai numëroi gjetjet kryesore të raportit, teksa shtoi se është e vështirë që në raport të gjendet ndonjë e arritur e qeverisë.
“Ky saktësim i raportit të DASh-it, kaloi pa u trajtuar me seriozitet, sepse po ballafaqohemi me krizë pas krize të kësaj Qeverie!”, tha Tahiri.
“Problemet strukturore si ndërhyrjet politike në gjyqësi, sektori i paqëndrushëm ekonomik, apo ekonomia informale janë thekset kryesore që paralajmërohen në hyrje të raportit”, theksoi ai.
“Pa vizion, pa njohuri, pa kapacitete, pa potencial për diversifikim të burimeve dhe investimeve, kjo Qeveri menaxhon në ekonomi, me logjikën e shpërndarjes së buxhetit dhe fryrjes së procedurave dhe burokracisë. Si në secilën fushë, kjo Qeveri i ktheu premtimet në mashtrim qeverisës kolosal”, shtoi ai.
Tahiri po ashtu tha se Qeveria Kurti nuk e ka asnjë sukses në zhvillimin ekonomik, gjatë dy vjetëve.
“Më specifikisht, theksohet se investimet e huaja direkte mbetën të kufizuara dhe se remitencat janë shtytësi kryesorë i zhvillimit ekonomik”, theksoi ai.