image Rama: Sulmi kibernetik kishte qëllim zhdukjen e të dhënave dhe shkatërrimin e sistemeve

Shqipëri

Rama: Sulmi kibernetik kishte qëllim zhdukjen e të dhënave dhe shkatërrimin e sistemeve

news image

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sulmi kibernetik ndaj sistemeve në Shqipëri sipas tij kishte për qëllim zhdukjen e të dhënave dhe shkatërrimin e gjithë sistemeve. Megjithatë Rama thekson se sulmi nuk e arriti qëllimin. Gjatë një konference me gazetarët, shtoi se edhe të dhënat që kanë dalë, sipas Ramës, nuk janë sekrete.

“Këto flukse sulmesh të raportuara dhe të regjistruara institucioni që koordinon të gjithë projektin e revolucionit dixhital kanë qenë në sulme të pasuksesshme përgjithtësisht. Ky është një agresion i mirëfilltë luftarak në botën e internetit dhe të gjithë sistemeve dixhitale. Një agresion i egër i cili ka pasur një qëllim shumë të qartë zhdukjen përfundimtare të të gjitha të dhënave dhe shkatërrimin pa kthim të të gjitha sistemeve, duke lënë një tokë të djegur nga mbrapa. Ky është konkluzioni i ekspertëve që na kanë mbështetur në këtë përpjekje të përbashkët dhe që zotërojnë njohurinë më të madhe sot, ekspertët e Microssoft, super skuadra e tyre e ndërtuar enkas kundër kërcënimeve të natyrës kibernetike. Sulmi nuk e ka arritur qëllimin, dëmet janë shumë më të lehta se sa shkalla e agresivitetit. Praktikisht sistemet janë kthyer në punë. Të dhënat janë krejtësisht irrelevante sa i përket sensivitetit të tyre. Një pjesë e tyre janë publikuar, vendime qeverie, shkresa që qarkullojnë në rrjetin e brendshëm dhe mund të merren me kërkesë të thjeshtë. Nuk janë dokumente sekrete”, u shpreh Rama.

 “Sulmi kibernetik ka pasur qëllim përhapjen e panikut, dezinformimit dhe teorive të konspiracionit. Kjo luftë vazhdon dhe patjetër që ne jemi në kushtet duhet të përballemi nga një anë me sulme të tjera të mundshme dhe nga ana tjetër me domosdoshmërinë për të rritur mbrojtjen kibernetike”, përfundoi Rama.

/GazetaSinjali/