image Rama premtoi se punimet në ‘Muharrem Fejza’ kryhen për 40 ditë, Komuna: S'llogariten festat, ditët me shi dhe fundjavat

Sociale

Rama premtoi se punimet në ‘Muharrem Fejza’ kryhen për 40 ditë, Komuna: S’llogariten festat, ditët me shi dhe fundjavat

news image

E gjatë jo më shumë se 1.2 kilometra, rruga më e famshme në kryeqytet ,‘Muharrem Fejza’, tash e sa vite ka telashe të ndryshme e muajt e fundit është edhe paasfaltuar tërësisht. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në muajin mars pati premtuar se asfaltimi i kësaj rrugë do të përfundohet për 40 ditë, raporton Gazeta Sinjali.

Që nga 17 marsi kur Rama dha këtë premtim e deri më sot janë gjithsej 48 ditë dhe në këtë rrugë është shtruar vetëm një shtresë asfalt.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në zyrën për media të Komunës së Prishtinës.

Komuna ka bërë të ditur për Sinjalin se ka mbetur të asfaltohet edhe shtresa përfundimtare, teksa pohojnë se nuk kanë kaluar ende 40 ditë pune qëkur Rama premtoi se do të përfundojnë punimet.

Plani dinamik prej 40 ditësh nënkupton 40 ditë pune, duke mos i llogaritur festat, ditët me shi si dhe fundjavat ,prandaj kur të merren parasysh të gjitha këto ende nuk kanë kaluar 40 ditë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Punimet në këtë rrugë i ka inspektuar disa herë edhe vetë kryetari i ri i kryeqytetit, i cili është shprehur se është trashëguar problem kompleks në këtë rrugë, e për çka thotë se duhet trajtim serioz dhe zgjidhje të përhershme.

Lidhur me zvarritjen e punimeve të ‘Muharrem Fejza’, banorët e kësaj lagjeje disa herë kishin protestuar për vonesa nga ana e Komunës së Prishtinës.

Banorët madje kishin paralajmëruar edhe padi ndaj Komunës për vonesat në rregullimin e kësaj rruge që kishte filluar shumë moti.

Punimet në rrugën ‘Muharrem Fejza’ kanë nisur që nga 27 prilli i vitit 2021, por procesi i punës ka shkuar tejet ngadalë.

Në këtë rrugë përveç gypave të Ujësjellësit e atyre të Termokosit, janë vendosur edhe kabllot e KEDS, PTK-së.

Kosto e punimeve të kësaj rruge janë 700 mijë euro.

Sipas kontratës, kjo rrugë është parapa të kryhet për 120 ditë.

/GazetaSinjali/