Kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje në Twitter homologut të tij kosovar, Albin Kurti, i cili i kishte dërguar letër urimi për mandatin e tretë.
Përmes një postimi në “Twitter”, Rama ka shkruar se do ta vizitojë me kënaqësi Kosovën.
Këtë vizitë ai e paralajmëroi pas kthimit nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Faleminderit @albinkurti ! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, ka shkruar ai.
Faleminderit @albinkurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t'u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t'ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona????????❤️????????
— Edi Rama (@ediramaal) September 17, 2021
Në ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim kryeministrit Edi Rama, me rastin e zgjedhjes për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, njofton ZKM.
Kryeministri Kurti ka theksuar se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.
Ai ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.
Kryeministri Kurti i uroi suksese gjatë mandatit qeverisës dhe e ftoi Kryeministrin Rama të vizitojë Kosovën për të diskutuar rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive. /Gazeta Sinjali/