image Rama ia kthen Kurtit për Mini-Shengenin: Kushdo që mendon se është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele

Politikë

Rama ia kthen Kurtit për Mini-Shengenin: Kushdo që mendon se është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Forumin Ekonomik që po mbahen në Shkup ia ka kthyer pëgjigjen Kurtit që pati thënë se Mini-Shengeni mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

Rama ka thënë se kushdo që mendon se Mini-Shengeni është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele.

“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë  për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’ia dhënë hegjemoninë Serbisë sepse është më e madhe  dhe do vijë të na marrë krejt çka kemi, e para jeton në një botë paralele e dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu atëherë edhe BE është një Jugosllavi e madhe, nëse BE është një Jugosllavi e madhe atëherë kjo është një Jugosllavi e vogël. Por jo kjo është një hapësirë që jeton me mekanizmat e BE-së në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje për t’u integruar në BE”, tha Rama.

Kurti kishte deklaruar më parë se Mini-Schengeni mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.

Rama poashtu tha se rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës.

“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tri vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm ata që krijojnë punë, të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje, dhe është shumë e qartë që kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar.Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnëj aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona për të hapur perspektivë është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, tha ai.

Ai tha se nisma e tri shteteve s’është asgjë e re por e ngjashme me 4 liritë themelore të BE-së.

Ai tutje tha se integrimin e rajonit do ta bëjnë tani para se të hyjnë në Bashkimin Evropian.

/GazetaSinjali/