image Rama: Hoti arriti të restaurojë krizën e madhe që pati Kosova

Politikë

Rama: Hoti arriti të restaurojë krizën e madhe që pati Kosova

news image

Në mbledhjen e dy qeverive, atë të Kosovës dhe Shqipërisë që është duke u mbajtur aktualisht në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka goditur kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se kryeministri i tanishëm i Kosovës, Avdullah Hoti ka arritur që t’i rikthejë aty ku kanë qenë raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, çdo lloj ikje nga dialogu vetëm në rrjete sociale e media mund të shënojë fitore, por e pengon Kosovën drejt fitores së vërtetë.

“E përgëzoj qeverinë e Kosovës qasjen konstruktive në dialog me Serbinë dhe koordinimin me BE-në dhe ShBA-në. Duke hequr çdo pengesë për rinisjen e dialogut që në fakt koha dhe faktet treguan se ishte një pengesë që Kosova fatkeqësisht ia vuri vetvetes. Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje. Çdo bishtnim ndaj dialogut krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale dhe në mexhelisin mediatik lokal por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës në raport me botën”, ka thënë Rama.

Ai tha se për pak kohë qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti arriti të restaurojë krizën e madhe që pati Kosova.

“Mendoj që sot jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë qoftë edhe rezultatet e marrjes së një rruge me perspektivë në shumë pak kohë u arrit të restaurohej një krisje shumë e madhe dhe u arrit të hidhej një hap tjetër”, tha Rama.

Ai e quajti turp për BE-në mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për liberalizimin e vizave për Kosovës, nuk më mbetet vetëm të përsëris që mosliberalizimi i vizave për Kosovës është një turp i BE-së I pajustifikueshëm për sa kohë kjo mbetet në fuqi jo sepse Kosova nuk ka bërë detyrat por për arsye se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme të vendeve të caktuara të BE-së”, u shpreh ai. /Gazeta Sinjali /