image Rama: Deri në tetor rreth 9 milionë turistë të huaj – më 2030 presim 20 milionë

Shqipëri

Rama: Deri në tetor rreth 9 milionë turistë të huaj – më 2030 presim 20 milionë

news image

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se në Shqipëri kanë hyrë rreth 9 milionë turistë të huaj, nga janari deri në tetor të këtij viti.

Ndërsa ai shtoi se synojnë që në vitin 2030 numri i turistëve të arrijë në 20 milionë.

Rama, duke folur në Asamblenë e zgjeruar të PS-së në Durrës, bëri të ditura shifrat për muajin tetor të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri.

“Kemi arritur një shifër që deri përpara jo shumë vite më parë dukej komplet e paimagjinueshme dhe ndërkohë kemi arritur në muajin tetor që nuk është piku i sezonit, të kemi kapërcim befasues të numrit të turistëve që kanë hyrë në Shqipëri, nga 365 mijë në tetorin e vitit të shkuar, në 611 mijë. Thuajse mbi 80% plus. Nga janari në tetor kemi prekur pothuajse 9 milionë turistë. Më saktë, 8 milionë e 920 mijë”.

“Nëse ky trend do vazhdojë deri në fund të vitit, do t’i afrohemi shifrës së 10 milionë turistëve që për Shqipërinë është një shifër jashtëzakonisht domethënëse ekonomike, pasi bëhet fjalë për 10 milionë konsumatorë, për 1 ditë, 3 ditë, 1 javë për 15 ditë apo për 20 ditë. Flas këtu për pasaporta të huaja”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Ai tha se kjo rritje e numrit të turistëve duhet t’i përmirësojë shërbimet në të gjitha nivelet, por po ashtu tha se duhet edhe më shumë prodhim të brendshëm, bujqësor, blegtoral.

Tutje, ai tha se pret që deri në vitin 2030, Shqipëria të ketë rreth 20 milionë turistë në vit.

“Nëse do jemi ambiciozë çdo ditë, pa asnjë diskutim mund t’i afrohemi deri në 2030 shifrës së 20 milionë turistëve dhe kjo sot mund të duket aq e paimagjinueshme, por është më e arritshme sot sepse kemi vendosur një bazë të re. Shqipëria është sot në një nivel të ri. Nuk jemi në majën ku duhet të shkojmë në 2030, për ta kaluar pastaj stafetën tek të tjerët për ta çuar më lart, por jemi në një nivel të ri. Jemi në një fazë që po mbledhim atë çka kemi mbjellë dhe kultivuar me shumë përpjekje në vitet e mëparshme kur na është dashur të nisemi nga pika realisht shumë të ulëta në çdo aspekt”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

/GazetaSinjali/