image Raka: Me këtë trend të rritjes së infeksioneve, mund të mbingarkohet Klinika Infektive

Shëndetësi

Raka: Me këtë trend të rritjes së infeksioneve, mund të mbingarkohet Klinika Infektive

news image

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje enorme të raste të reja me COVID-19. Për këtë shkak bartja e maskave dhe mbajtja e distancës në institucionet publike dhe ato private është bërë e obligueshme.

Ndërkohë, mikrobiologu kosovar, Lul Raka ka deklaruar se pikërisht rritja e rasteve vjen si pasojë e mosrespektimit të masave.

Raka gjithashtu shpreh shqetësimin e tij lidhur me kapacitetet e Klinikës Infektive në Prishtinë, nëse vazhdon ky trend i infeksioneve.

“Ngritja e rasteve të ditëve të fundit është reflektim i moszbatimit të masave parandaluese, ne kemi thënë prej fillimit që vaksine s’ka prandaj ilaçi i vetëm është parandalimi. Me një trend të tillë të rritjes shumë shpejt mund të mbingarkohen kapacitetet në Klinikën Infektive sepse për 3 ditë, prej 40 pacienteve janë 60. Por me këtë trend shumë shpejt mund të rritet”, është shprehur mikrobiologu në emisionin “Frontal” në T7.

Mikrobiologu thotë se ende situata është nën kontroll, derisa thotë se jo domosdoshmërish çdo rast do të spitalizohet.

“Ende s’ka dal prej kontrollit, por trendi është shqetësues. Për dallim prej fillimit, të gjitha rastet kanë shkuar në spital. Tash nuk shkojnë në spital. Fatmirësisht pjesa më e madhe e kanë pas simptomatologji të lehtë ose pa simptoma. Nëse nuk ka zbatim të masave, ka inspektorë e policë që mund ta kontrollojnë një gjë të tillë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ndërkohë ai bëri thirrje qytetarëve të shmangen nga tubimet apo nga grumbullimet e njerëzve.

Raka foli edhe për daljen e ish ministrit të shëndetësisë Arben Vitia, në tubimin e LVV me 12 qershor.

Ai tha se menaxhimi i pandemisë nga Vitia ishte përtej çdo parashikimi, por se dalja e tij në tubim ishte gabim./Gazeta Sinjali/