Egjiptianët mund të kenë mumiet më të famshme, por ato nuk janë më të vjetrat. Populli Chinchorro i shkretëtirës Atakama të Kilit, ishte i pari që mumifikoi të vdekurit e tyre, 7000 vjet më parë.
Në këtë shkretëtirë, vendi më i thatë në Tokë, janë gjetur mumie që datojnë 2000 vjet para mumieve egjiptiane.
“Chinchorro janë njerëzit e parë që banuan në veri të Kilit dhe në jug të Perusë. Ata janë gjithashtu kultura e parë e njohur në botë që ka mumifikuar të vdekurit e tyre, duke filluar rreth 5000 p.e.s.”, thotë Bernardo Arriaza, antropolog fizik në Universitetin e Tarapacá.
Mbetjet e qindra mumieve janë gjetur në rajonet Arica dhe Parinacota. Në vitin 2021, këto varreza u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për vlerën e jashtëzakonshme arkeologjike që ofrojnë. Jo vetëm që zbulojnë praktikat dhe ritualet mortore të kulturës antike, por ofrojnë edhe njohuri mbi jetën shoqërore dhe shpirtërore të një komuniteti që mendohet se ka jetuar në këto zona. Për shembull, mumifikimi nuk ishte një proces që kryhej vetëm për klasën e lartë të shoqërisë (siç ishte për egjiptianët), por ishte një ritual për të gjithë.
Edhe pse u njohën nga UNESCO kohët e fundit, banorët e Arica-s gjithmonë kanë folur për këto mbetjet unike arkeologjike. Kjo për shkak se trupat janë varrosur shumë afër sipërfaqes së tokës. Për shembull, Johnny Vásquez, i cili ka jetuar në Arica për 60 vjet, tregon se kur punëtorët gërmuan për herë të parë tubacionet e kanalizimeve në lagjen e tij, gjetën “varreza masive mumiesh”.
Qindra mumie janë zbuluar deri më tani, duke përfshirë ato të foshnjave dhe fëmijëve. Sipas bioarkeologëve në Universitetin e Tarapacá-s, toka në ato zona përmban shumë arsenik natyral, dhe kjo ka gjasa të ketë nxitur numrin e lartë të vdekjeve në popullatë.
Të jetosh në një nekropol të lashtë mund të duket shqetësuese, por vendasit i shohin të vdekurit si paraardhësit e tyre dhe mendojnë se e kanë për detyrë të kujdesen për to.
“Ata ishin peshkatarë njësoj si ne dhe jetonin po në këtë vend. Pas mijëra vitesh, ne vazhdojmë të jetojmë këtu. Si një komunitet peshkatarësh e konsiderojmë veten si trashëgimtarë të tyre dhe kjo është arsyeja pse duam t’i ruajmë eshtrat që ata kanë lënë, si një trashëgimi e komunitetit. Ne jemi Chinchorros-it bashkëkohorë“, thotë Jorge Ardiles, peshkatar vendas.