image Dërgohet në psikiatri qytetari që provokoi policët e Gjakovës me thikë e me shufër hekuri

Siguri

Dërgohet në psikiatri qytetari që provokoi policët e Gjakovës me thikë e me shufër hekuri

news image

Sonte një person është arrestuar në Gjakovë pasi kishte provokuar policinë e këtij rajoni me thikë e me shufër hekuri. Policia e kësaj komune ka dhënë informata të reja rreth incidentit, raporton Gazeta Sinjali.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se pjesëtarët e policisë kanë përdorur sprej për të arrestuar sulmuesin, pasi ky i fundit kishte refuzuar t’u bindej urdhrave të tyre.

Sipas tij, ai vuan nga problemet mentale, andaj është dërguar në repartin e psikiatrisë për trajtim të mëtejmë.

“Personi ka qenë në mes të rrugës, duke sharë dhe kërcënuar kalimtarët e rastit dhe patrulla policore, përkundër urdhrave verbalë drejtuar të dyshuarit për të hedhur mjetet e rrezikshme nga dora, ai vazhdoi të bëhej më agresiv dhe ka sulmuar policinë me shufër dhe thikë dhe kundër tij është përdorur sprej, dhe i dyshuari është arrestuar. I njëjti kishte probleme mentale dhe atij i është dhënë trajtim mjekësor dhe është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë Xhurkaj për Gazetën Sinjali.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Ndryshe, policia nuk ka bërë të ditur për persona të lënduar gjatë këtij incidenti. /Gazeta Sinjali/