Radhë të gjata janë krijuar që nga mëngjesi para qendrës së vaksinimit “Zenel Hajdini” në Ferizaj, ku qytetarë të shumtë janë duke pritur që nga ora 07:00 e mëngjesit për tu vaksinuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka dërguar video nga kjo qendër e vaksinimit ku ka thënë se që nga mëngjesi ai dhe rreth 300 qytetarë të tjerë po presin para kësaj qendre.
Tutje për Sinjalin ai ka thënë se që nga dita e enjte nuk ka arritur që të marr vaksinën ndonëse e ka pasur terminin e caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Jam nga ora 06:30 duke pritur. Unë prej të enjtes nuk po mundem me marr vaksinën për shkak të kallaballakut“, ka thënë ai për Sinjalin.
Sipas tij një gjë e tillë po ndodhë për shkak të keqmenaxhimit me situatën e vaksinimit dhe stafit të pamjaftueshëm të mjekëve që ndodhen në këtë qendër.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtoreshën e Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti -Maliqi, ka theksuar se ndonëse po punojnë për menaxhim të situatës, terminet e lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë janë jashtë kapaciteteve të kësaj komune.
“Komuna me të gjitha kapacitete e saj është mundu me menaxhu situatën me qendër të vaksinimit. Ne e kemi problemin që si Ferizaj jemi qytet i madh ku brenda ditës neve na i lëshon Ministria e Shëndetësisë 1300 termine të vaksinimit e cila për kapacitetin edhe të sallës edhe të personelit mjekësor është e papërballueshme”, ka thënë ajo për Sinjalin.
Tutje ajo ka shtuar se arsyeja se pse qytetarët nuk po arrijnë të marrin vaksinën me ditë të tëra është fakti që ata po lodhen duke pritur dhe po kthehen të nesërmen për të vazhduar pritjen.
“Arsyeja se përse personat ndoshta nuk po munden me e marrë vaksinën është që radha e pritjes është e gjatë, njerëzit normalisht që ndihen të frustruar edhe vendosin me e ndërprerë atë ditë edhe e lënë për një ditë tjetër, po prapë ditën e nesërme ndodhë e njëjta gjë.”
“Brenda ditës 1300 termine plus këto terminet të cilat e shtyjnë datën për arsye të ndryshme neve na grumbullohen shumë dhe po është e pamundur të mos kemi kësi tollovi që po ndodhin”, ka shtuar ajo./Gazeta Sinjali/