Policia e Kosovës në Prizren, thotë se me datë 15 maj 2021, një qytetar në oborrin e një qendre tregtare, e gjeti një portofol me dokumente dhe para të konsiderueshme. Të njëjtat i dorëzoi menjëherë në polici, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia njofton se pasi kontrolloi dhe verifikoi dokumentet dhe paratë, i regjistroi me vërtetim këtë veprim dhe falënderoi qytetarin për kulturën e tij të treguar.
“Pas pak, në stacionin policor në Prizren, u paraqit edhe viktima e këtij rasti i cili kishte humbur këtë portofol, dhe në momentin që e paraqiti rastin, i njëjti u informua nga policia se dokumentet dhe paratë janë dorëzuar në polici nga një qytetar i cili i kishte gjetur dhe dorëzuar. Qytetari u mahnit me këtë gjest dhe pasi pranoi portofolin e humbur, portofoli u kontrollua në prezencë të policisë për dokumentet dhe paratë që i kishte pasur, u largua nga stacioni i policisë duke qenë i lumtur dhe i entuziazmuar. Policia mbajti një shënim zyrtar në lidhje me këtë veprim”, njofton Policia në Prizren. /Gazeta Sinjali/