Qytetarë të shumtë edhe këtë vit kanë zgjedhur sheshet e Prishtinës për të pritur ndërrimin e moteve.
Përkundër të ftohtit dimëror, festës në qiell të hapur “Prite në Shesh”, iu përgjigjën jo vetëm kryeqytetasit.
Me t’u afruar akrepat afër mesnatës Sheshi “Skënderbeu” u mbush nga qytetarë, mes tjerash për të shijuar edhe pamjen mahnitëse, ku qielli i Prishtinës u ndriçua nga fishekzjarrët.
Për organizimet e tilla dhe atmosferën festive që po mbretëronte sonte, qytetarët shprehin fjalë të mira për organet komunale. Derisa shpresojnë që viti 2020 Kosovën të gjejë me më shumë perspektivë për të rinjtë dhe formim të institucioneve.
E përfaqësuesi i komunës së Prishtinë, Adrian Berisha tregon dallimet që ka pasur aktiviteti i sivjetëm i ndërrimit të moteve me vitet e kaluara. Derisa thotë se këto janë shumë të rëndësishme edhe për vetëdijësimin e gjeneratave të ndryshme.
“Këtë vit ‘Prite në Shesh’ nuk ka qenë vetëm një natë sikur vitet e kaluara, por ka qenë përplot 27 natë. Kemi filluar që nga data 4 dhjetor për të vazhduar deri më sot dhe nesër. Deri më datën 1 janar ka me pas performanca muzikore. Plus kanë qenë dy zona ku çdo natë ka pas bende edhe artistë të ndryshëm që kanë performuar… Unë besoj që përmes aktiviteteve kulturore edhe aktivitete të tilla ne arrijmë të bëjmë një vetëdijesim tek gjeneratat e ndryshme edhe janë të rëndësishme shumë, ia vlen me kaluar pak kohë të mira edhe jashtë shtëpisë”, u shpreh Berisha.
Numër i madh i qytetarëve u panë të qëndrojnë edhe tek sheshi tjetër “Zahir Pajaziti”, ku po shijonin orët e para të ndërrimit të moteve.
Për ofrimin e sigurisë në sheshet e kryeqytetit qëndruan forca të shumta policore, ku Policia e Kosovës edhe këtë vit ka përgatitur urdhrin operativ “Fundviti – 2019 dhe fillimi i 2020” për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e vendit tonë./ Gazeta Sinjali/