Që nga e shtuna, qytetarët e Komunës së Deçanit të cilët po vaksinohen kundër COVID-19 në qendrën e vaksinimit të kësaj komune, nuk po marrin kopjen fizike të kartelës së vaksinimit, raporton Gazeta Sinjali.
Në vend të saj, këta qytetarë po marrin një kopje elektronike të kartelës, pasi që, zyrtarët e Qendrës së Vaksinimit u kanë thënë se u është prishur printeri.
Një sinjalizues ka thënë për Gazetën Sinjali se sot është imunizuar kundër koronavirusit në këtë qendër, por nuk është pajisur me kartelën e vaksinimit.
Nga kjo qendër ai thotë se i kanë thënë se printeri nuk po punon që nga e shtuna.
Mirëpo, (mos)pajisja e qytetarëve me këto kartela nuk është urgjente, sipas Setki Mushkolajt nga Qendra e Vaksinimit në Deçan.
Mushkolaj tha për Sinjalin se qytetarët mund të pajisen me këto kartela sot ose gjatë ditëve të tjera në vijim, madje edhe në ditën kur do ta marrin dozën e dytë, sepse sipas tij, nuk është asgjë urgjente.
“Ndodhin për shkaqe teknike, nganjëherë, por gjithçka është funksional. Jo, vetëm të shtunën nuk ka punu, sot është gjithçka funksionale. Normalisht që janë pajisë, veç sa ka vonu posta me ardhë prej Prishtinës, kurgjo tjetër. Gjatë krejt ditës, po. Ama janë shkaqe teknike, nuk është ajo diçka urgjente. U vaksinu, e merr kartelën kur ta merr dozën e dytë. Mundet me ardhë me e marrë sot, nesër. Nuk është kurgjo ajo”, tha ai./Gazeta Sinjali/