image Qytetarët kërkojnë anulimin e vendimit për Kalanë e Vushtrrisë, kujtojnë Urën e Gurit

Kosovë

Reagim/ Qytetarët kërkojnë anulimin e vendimit për Kalanë e Vushtrrisë, kujtojnë Urën e Gurit

news image

Grupi “Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë” po kërkon anulimin e vendimit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të monumentit të trashëgimisë kulturore- Kalasë së Vjetër të Vushtrrisë.

Këtë vendim të IMMK-së, ky grup e quan skandaloz dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, derisa i kanë bërë ftesë Prokurorisë së Shtetit që të nis hetimet në lidhje me marrjen e këtij vendimi.

 “Përfundimisht “Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë”, kërkojnë anulim të menjëhershëm të vendimit skandaloz të drejtorit të IMMK-së, dhe kërkojmë që Kalaja përfundimisht të njihet si hapësirë publike për qytetarët e Vushtrrisë. Në lidhje më këtë vendim skandaloz, dhe kërkesat tona, do të njoftohet edhe Prokuroria e Shtetit e cila edhe në vitin 2017 kishte nisur hetim për procesin e dhënies në shfrytëzim të përkohshëm të Kalasë së Vushtrrisë. Ne nuk do të ndalemi derisa vendimi të anulohet përfundimisht”, thuhet në reagim.

Sipas këtij grupi, ky vendim është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Vushtrrisë, të cilët edhe dy vite më parë kanë protestuar ndaj një vendimi të ngjashëm, atë të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore me datën 07.07.2017, i cili ia dha në shfrytëzim Kalanë për pesë vite po ashtu Mentor Salihu – dajës së ish kryetarit të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Bajram Mulaku.

“Asokohe “Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë” kanë dalë kundër këtij vendimi dhe kanë kërkuar që ai të anulohet për faktin se Kalaja e Vushtrrisë përveç që është monument i trashëgimisë kulturore gjendet në zone arkeologjike. Përveç  kësaj, procesi i dhënies në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, sikurse herën e kaluar edhe kësaj radhe ka ndodhur pa asnjë diskutim publik me qytetarët. Dhe rrjedhimisht asnjë vendim nuk mund të konsiderohet se ka legjimitet pa e marrë atë nga vetë qytetarët e Vushtrrisë”, thuhet në reagim.

Ky grup thotë se praktika të tilla të shfrytëzimit të objekteve të trashëgimisë kulturore nga bizneset private kanë rezultuar në dëmtimin e tyre dhe për këtë nuk është dhënë asnjë përgjegjësi.

“Ne si qytetarë të Vushtrrisë, jemi të shqetësuar për këtë vendim pasi që përmes tij qytetarëve po u privohet shfrytëzimi i njërës nga hapësirat kryesore kulturore. Gjithashtu, ne jemi dëshmitarë se praktika të tilla të shfrytëzimit të objekteve të trashëgimisë kulturore nga bizneset private kanë rezultuar në dëmtimin e tyre dhe për këtë nuk është dhënë asnjë përgjegjësi. Një shembull i tillë është Ura e Vjetër e Gurit në qytetin tonë që për momentin shfrytëzohet si oborr restoranti. Gjatë këtij viti anësoret e kësaj ure janë rrezuar në mungesë të mirëmbajtjes adekuate nga pronarët”, thuhet në reagim./Gazeta Sinjali/