image Banorët e Veternikut s’kanë ujë për t’i larë duart, kjo është arsyeja

Kosovë

Banorët e Veternikut s’kanë ujë për t’i larë duart, kjo është arsyeja

news image

Banorë të lagjes së Veternikut në Prishtinë, kanë raportuar se po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Madje disa nga ta thonë se nuk kanë ujë për t’i larë duart, në kohën kur koronavirusi është përhapur edhe në vendin tonë dhe larja e duarve rekomandohet të bëhet sa më shpesh.

Zëdhënësja e KRU ‘Prishtina’, Arjeta Mjeku, tha për Gazetën Sinjali se kjo ka ndodhur për shkak se qytetarë të pandërgjegjshëm janë marrë sot me kyçje ilegale duke dëmtuar rrjetin e ujësjellësit.

Për hirë të informimit të qytetarëve që kanë mbetur pa ujë, ata kanë lëshuar edhe një njoftim për media.

Njoftimi i plotë i KRU ‘Prishtina’:

Qytetarë të nderuar, siç e shihni në fotografi, sot në fshatin Hajvali, qytetarë të papërgjegjshëm shfrytëzojnë momente sikurse sot, momente në kohën kur gjithandej po zbatohen masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së virusit Corona, gropojnë, merren me kyçje ilegale, vendosin tubacione pa miratimin e askujt, pra gjithçka në mënyrë ilegale.

Si pasojë e kësaj dukurie të shëmtuar, e aq më tepër e shfrytëzuar në periudhën në të cilën po kalojnë qytetarët tanë, e dëmton rrjetin e ujësjellësit dhe mund të vije deri te çrregullimi i sistemit të furnizimit me ujë dhe kjo situatë më së paku na duhet sot.

Ftojmë organet përgjegjëse të merren me raste të tilla, konkretisht me rastin e ditës së sotme.

Ftojmë organet kometente të na ndihmojnë, që të mos ballafaqohemi me çrregullime në sistem.

Janë totalisht të papranueshme këto shëmti nga njerëz të papërgjegjshëm që shfrytëzojnë kohë krizash për t’i bërë ,, mirë,, vetes dhe familjes së tyre.

Ne , jemi duke bërë përpjekje maksimale me ekipe mobile dhe menaxhment që, ta menaxhojmë këtë situatë e cila mund të ndikojë , që të shfaqen turbullira në krojet tuaja për shkak të ngjarjes së ditës së sotme,por organet kompetente të merren me raste të tilla që mund të dëmtojnë me qindra konsumatorë që furnizohen me ujë të pijshëm nga KRU,, Prishtina,, sh.a. /Gazeta Sinjali/