image Qytetarët e Ferizajt mbesin pa ujë për Kurban Bajram

Kosovë

Qytetarët e Ferizajt mbesin pa ujë për Kurban Bajram

news image

Qytetarët në Komunën e Ferizajt kanë mbetur pa ujë të pijshëm gjatë ditës së sotme, kur shumë qytetarë janë duke kremtuar festën e Kurban Bajramit, raporton Sinjali.

Arsyetimi nga Komuna e Ferizajt për këtë mungesë është dhënë se me një mungesë të ngjashme janë duke u përballur të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sipas njoftimit të Komunës, reduktimet kanë ardhur si pasojë e temperaturave të larta dhe keqpërdorimeve eventuale dhe jo si pasojë e ndonjë defekti në rrjetin e ujësjellësit të komunës.

“Gjithashtu, sigurojmë qytetarët që është duke u operuar me kapacitet të plotë në gjithë rrjetin tonë me qëllim që qytetarëve t’i sigurohet uji i pijshëm”, thuhet më tej në sqarimin e Komunës së Ferizajt.

Komuna ka shprehur keqardhje që në këtë ditë feste mungon uji i pijshëm, “përkundër përpjekjes të pandalshme të autoriteteve lokale, presim mirëkuptimin tuaj dhe njëkohësisht apelojmë tek qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të ujit dhe të denoncojnë keqpërdorimet e ujit tek organet kompetente”.

Komuna e Ferizajt thotë se ka mobilizuar prej ditësh të gjitha mekanizmat për të siguruar rezervat e ujit dhe përpunimin e tij me qëllim të shmangies së krizës në shkallë më të gjerë të ujit në territorin e Ferizajt.