Ministria e Infrastrukturës më herët përmes një njoftimi për media tha se të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Por disa sinjalizues të Gazetës kanë dërguar pamje nga vende të ndryshme me ankesa se rrugët s’janë të pastruara dhe po kanë vështirësi në qarkullim.
Qytetarët kanë dërguar pamje nga autostrada Prishtinë-Pejë dhe ajo Gjakovë-Prizren.
Foto kanë dërguar në redaksinë e Sinjalit edhe nga rruga Prizren-Prishtinë, me ankesa se reshjet e borës ua kanë pamundësuar qarkullimin.
“Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjitha rrugët në menaxhim të MI-së, janë të hapura për qarkullim, përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës. Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vozitin në përputhje me rregullat e komunikacionit, duke ju përshtatur kushteve atmosferike, me qëllim të evitimit të aksidenteve të mundshme”, thuhej në njoftimin e MI-së dërguar më herët për media. /Gazeta Sinjali/