Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është ndaluar vizita dyditore në Serbi nga Policia e këtij shteti “për shkaqe sigurie”. Ai është ndaluar nga autoritetet serbe pak para se të arrinte në Beograd. E arsyetimi i autoriteteve të Serbisë nuk po i duket i vërtetë, deputetit të LDK-së dhe anëtarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë, Anton Quni.
Quni në një deklaratë për Sinjalin tha se autoritetet serbe nuk kanë dëshirë që opinioni i tyre të informohet për realitetin mes dy shteteve.
“Unë mendoj në përgjithësi që autoritetet serbe nuk kanë dëshirë të dëgjojnë zërin e arsyes dhe opinioni të jetë i njoftuar me realitetin në Kosovë. Prandaj çdo arsyetim i autoriteteve serbe që zyrtarët e Kosovës t’i kthej prapa jam më se i bindur se nuk mund të qëndroj por arsyet janë që zyrtarët tanë të mos e kenë luksin të ju drejtohen autoriteteve dhe opinioni, qytetarët e Serbisë të kuptojnë të vërtetën e ngjarjeve në Kosovë”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit të vendosur nga Qeveria e Kosovës që të gjithë qytetarët që i kanë veturat e regjistruara me targa me akronime serbe KM, PZ, etj, t’i shndërrojnë ato në RKS.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshem, deri tani vetëm 20 vetura janë riregjistruar ndërsa janë regjistruar tri raste të djegies së veturave apo të pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS.
Se në Veri të vendit pritet të ketë tensione, e thotë edhe Quni. Megjithatë, beson se situata do të menaxhohet mirë nga institucionet e sigurisë.
“Unë besoj se institucionet dhe organizatat tona të specializuara i kanë parasysh të gjitha gjërat me të cilat mund të ballafaqohen kur të fillojnë kontrollin e automjeteve të paregjistruara. Se do të sfidohen institucionet e kanë paralajmëruar edhe autoritetet serbe, është diçka e pritur por edhe diçka që ka ndodh në të kaluarën”, u shpreh ai.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë propozuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që vendimin ta shtyjë për 10 muaj. Mirëpo, këtë propozim nuk e ka pranuar Kurti.
Ish-ministri i Mbrojtjes thotë se Kurti duhet ta ketë parasysh ligjshmërinë e vendit por edhe kërkesen e aleatëve të vendit.
Sipas tij, vendimi i Qeverisë duhet të jetë në koordinim me partnerët e vendit.
“Tani është në diskrecionin e kryeministrit që t’i ketë në konsideratë edhe nevojën që të shtrihet ligjshmëria në territorin e Kosovës por edhe kërkesat e partnerëve tanë strategjik. Është mirë që çdo veprim i Qeverisë të kosovës të jetë i bashkëkoordinuar me autoritetet ndërkombëtare dhe veprimet tona ta kenë mbështetjen e plotë”, tha deputeti i LDK-së, Anton Quni.
Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë në veri të Kosovës, mund të riregjistrojnë veturat e tyre në RKS. Besohet se afër 10.000 makina qarkullojnë në veri të Kosovës, e të cilat kanë targa të lëshuara nga Serbia me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme.
Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 31 tetorit këto makina nuk do të mund të qarkullojnë e as të kalojnë kufirin. Por, nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe nga Serbia më 27 tetor kanë paralajmëruar për barrikada nëse Kosova konfiskon makinat apo targat e serbëve.