Ministri i Mbrojtjes Anton Quni ka deklaruar se menaxhimi me sukses i kësaj situate është edhe një provë konkrete se FSK-ja dhe Kosova po tregojnë pjekurinë e duhur institucionale dhe shtetërore që të jenë pjesë e NATO-s.
Quni me qëllim të informimit nga afër me nivelin e gatishmërisë operacionale të njësiteve të angazhuara të FSK-së, pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, vizitoi sot regjimentin e parë të Forcave Tokësore në Gjilan.
Sipas komunikatës, ministri Quni, gjatë vizitës u shoqërua nga stafi i tij dhe nga komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj.
Ministri Quni, me këtë rast, shprehu vlerësimin e lartë dhe inkurajoi pjesëtarët e Regjimentit për përgatitjet e duhura, motivin dhe moralin e lartë të dëshmuar si gjithmonë në mbështetjen e plotë ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në përballje me sfidën aktuale që po kalojmë.
“Në këto rrethana të jashtëzakonshme, ku është me rëndësi jetike shëndeti i pjesëtarëve dhe i qytetarëve tanë, ministri Anton Quni, theksoi domosdoshmërinë që FSK-ja, të jetë e gatshme t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe gjithnjë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in. Ndërsa, ministrin Quni, me planin e gatishmërisë, nivelin e koordinimit me komandën superiore, veprimet e deritashme, si dhe nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve njerëzore specialistike, materiale, teknike dhe mbështetjes logjistike të regjimentit përkatës e njoftoi zëvendës komandanti i Regjimentit të parë, major Kadri Berisha. Menaxhimi me sukses i kësaj situate është edhe një provë konkrete se FSK-ja dhe Kosova po tregojnë pjekurinë e duhur institucionale dhe shtetërore që të jenë pjesë e NATO-s”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/