Në Ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së kanë filluar homazhet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, transmeton Gazeta Sinjali.
Për të nderuar veprën dhe sakrificën e familjes Jashari shkoi edhe ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, njofton Klan Kosova.
Homazhe të përbashkëta bënë edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ata thanë se përkujtimet duhet të shërbejnë si motiv për një të ardhme më të mirë për vendin tonë.
“Një popull që kujton dhe nderon të kaluarën dhe sakrificën e popullit të vet do ta ketë të sigurt të ardhmen. E kemi për obligim dhe detyrë të punojmë dhe të jemi të kujdesshëm, si dhe ta duam njëri-tjetrin. Nderimet do t’i vazhdojmë edhe në komplekset tjera”, ka thënë Jashari para gazetarëve.
Ndërkaq, Lladrovci tha se para varreve të dëshmorëve dhanë edhe një zotim.
“5,6 dhe 7 Marsi është ngjarja më e rëndësishme e historisë sonë. Ne sot s’po bëjmë veç homazhe, por jemi zotuar se ne do të bëjmë punë të mira për komunat tona”, shtoi ai.