image QUINT-i refuzohet nga partitë politike të Kosovës

Kosovë

Politikë/ QUINT-i refuzohet nga partitë politike të Kosovës

news image

Partitë politike në Kosovë po refuzojnë thirrjen e djeshme të shteteve të Quint-it që Kosova ta shfuqizojë taksën e vendosur ndaj mallrave të Serbisë. Subjektet politike kanë hedhur poshtë kërkesën për heqjen e taksës, raporton Sinjali,

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, ka përsëritur kushtin e njëjtë që edhe kryeministri në largim kishte vendosur për shfuqizimin e taksës. Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi , ka thënë për Sinjalin se taksa nuk do të shfuqizohet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ai ka thënë se taksa nuk duhet të lidhet me dialogun. Sipas tij, AAK është që dialogu të vazhdojë pas njohjeve reciproke të dy shteteve.

“Taksa nuk ka të bëjë asgjë me dialogun sepse është vendosur kundër Serbisë për shkak të veprimeve ndaj Kosovës dhe në diplomacinë e jashtme, prandaj dialogu nuk duhet të kushtëzohet, ne jemi që të vazhdojë dialogu që nënkupton njohjen mes dy shteteve”, ka thënë Isufi për Sinjalin.

Në lidhje me kërkesën e shteteve të Quint-it drejtuar Serbisë, për ndaljen e lobimit kundër Kosovës, Isufi ka thënë se është e qartë se Serbia nuk do të ndalë agresivitetin ndaj Kosovës, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare.

“Ne e dimë që Serbia nuk tërhiqet nga veprimet anti Kosovë për shkak se ka të bëjë me personat të cilat janë bashkëpjesëmarrës në krimet që Millosheviqi ka kryer në Kosovë. Nuk duam të bëjmë lajthitje në përcaktimin tonë për të mbrojtur interesat e Kosovës. Dialogu mund të vazhdojë me njohje ndaj shtetit të Kosovës, përndryshe taksa mbetet në fuqi”, ka thënë Ahmeti për Sinjalin.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, është shprehur kategorikisht kundër kërkesës së shteteve të Quint-it që Kosova ta shfuqizojë taksën. Ai theksoi se heqja e taksës është kërkesë edhe e Serbisë.

“Përderisa, tërheqja e taksës vazhdon të jetë kusht për bisedimet me Serbinë, kjo i bije që është kusht i Serbisë për Kosovën dhe edhe nëse vije nga ndokush tjetër, për ne vazhdon të jetë kusht i Serbisë. Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi kushtit të Serbisë, e para”.

“E dyta, taksën e kemi përkrahur dhe vazhdojmë ta përkrahim sa është në shërbim dhe në mbrojtje të shërbimeve tregtare nga agresioni i Serbisë. Normalisht taksa nuk është gjithçka, por ajo është diçka që e kemi përkrahur sepse me Serbinë do të duhej të shkonim edhe përtej taksës”, ka thënë Selimi për Sinjalin.

Më tutje ai ka shtuar se Kosova duhet të ketë raport të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Sipas tij, Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet kushteve që BE i jep ndaj Serbisë.

“Do të duhej të kishim raport reciprociteti në fushën e tregtisë, politikes dhe ekonomike. Pra Kosova ndaj Serbisë duhet të aplikojë reciprocitet politik dhe ekonomik. Taksën po e llogarisim si pjesë derivate e saj, por jo si tërësi. Mendoj se Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet kushteve të Serbisë edhe nëse vije nga shtete e Quntit”.

“Serbia ka kushte për rrugën e saj në BE, prandaj Serbia duhet t’i përmbushë këto kushte ndaj Kosovës, e jo Kosova ndaj Serbisë. Pra Serbia është e kushtëzuar për integrim me këto raporte dhe ne nuk kemi asnjë borxh që t’i nënshtrohemi kushteve të Serbisë në favor të integrimit të saj në BE”.

“Kosova duhet t’i mbajë qëndrimet e veta në mbrojte të sovranitet të integritetit dhe mbi të gjitha të shtetësisë së saj që po vazhdon të luftohet nga Serbia. Nëse kushti për heqjen e taksës vazhdon të mbetet kusht nga Serbia atëherë edhe aq më mirë që ekziston taksa”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Rexhep Selimi për Sinjalin.

Në anën tjetër kryetari PDK-së, Kadri Veseli, ka mirëpritur përpjekjen e shteteve të Quint-it për zhvillimin e dialogut. Ai ka thënë se Kosova duhet t’i mbrojë interesat e shtetit të vet, por sipas tij nuk mund të bëhet pa miqtë e Kosovës.

“Kosova arriti pavarësinë e saj duke pasur në krah një aleancë të fortë me Perëndimin. Një nga temat mbi të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në këto zgjedhje është nëse Kosova dëshiron t’i vazhdojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo t’i trajtojë ata si armiq dhe të përpiqet që të mbijetojë e vetme”.

“Ne duhet t’i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e Dialogut”, ka thënë gjatë ditës së djeshme Veseli.

Po ashtu ai ka kërkuar nga BE që të parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë.

“Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme Veseli.

Për taksën ndaj Serbisë ishte shprehur i vendosur edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Kishte thënë se taksa nuk është çështje që mund të hiqet lehtë.

“Unë mendoj që duhet të vlerësohet mirë çështja e tarifave. Tani nuk është mbetur vetëm çështje ekonomike po është bërë edhe çështje politike karshi levës e kushtëzimit dhe mos kushtëzimit të dialogut. Unë mendoj që ato tarifa nuk mund të hiqen lehtë dhe nuk duhet të hiqen lehtë, sepse ne nuk mund të heqim tarifat përderisa kemi probleme të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë”.

“Sot qytetarët e Kosovës po presin nga katër ose pesë orë në kufij për shkak të masave që ka marr Serbia dhe trajtimit të padrejtë të kufizimit të lëvizjes, të masave jo tarifore që po i merr Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk ka bërë vërejtje edhe nuk ka bërë trysni ndaj Serbisë që të sillet ndryshe. Prandaj nuk mund të themi që ne po i heqim tarifat e ju vazhdoni dhe mbani gjashtë orë edhe dhjetë orë qytetarët tanë në kufij edhe merrni masa tjera jo tarifore. Kështu që është çështje mjaft komplekse e cila duhet të trajtohet mirë nga një qeveri e ardhshme e cila duhet të kushtëzohet me zbatimin e krejt marrëveshjeve që janë bërë me Serbinë dhe me sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës, lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve, në këtë hapësirë të Ballkanit perëndimor”, kishte thënë Mustafa ditë më parë, pasi kishte fituar edhe një mandat në krye të LDK-së.

Lidhur me kërkesën e shteteve të Quintit, Sinjali ka provuar të marrë mendimin edhe të PSD-së dhe Nisma-s, por zyrtarë të këtyre partive nuk kanë qenë të qasshëm.

Gjatë ditës së djeshme shtetet e Quint-it kanë kërkuar nga Kosova tërheqjen e taksës në mënyrë që të vazhdohet dialogu, ndërsa nga Serbia kanë kërkuar ndaljen e lobimit kundër shtetit të Kosovës./Sinjali/