Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për Frrok Gjugjën dhe Anton Domgjonin, të cilët u kapën gjatë një aksioni kundër fajdes, në fillim të muajit shkurt, raporton Gazeta Sinjali.
Frroku, i njohur me nofkën Qoki, me të kaluar kriminale, dhe Anton Domgjoni, i njohur si Genti, do të mbesin në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.
Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.
“Gjykata Themelore në Prizren me Aktvendim të datës 01.03.2022 ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 60 (gjashtëdhjetë) ditë ndaj të pandehurve F.Gj., dhe A.D., ashtu që kjo masë mund të zgjasë deri më datë 01.05.2022”.
Gjugja dyshohet se ka kryer veprat penale fajdeja, detyrimi dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë. Ndërsa Antoni dyshohet për veprën penale fajdeja në ndihmë.
Gjykata ka njoftuar po ashtu për Sinjalin se paraprakisht me datë 28.02.2022, Prokurori i Shtetit ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.
Në përgjigje thuhet se gjyqtarja e rastit ka vlerësuar se kjo kërkesë është e bazuar, pasi që nga shkresat e lëndës dhe provat e siguruara deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
“Duke u bazuar në të gjitha faktet dhe provat e rastit, gjykata ka ardhur në përfundim se vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, kjo për shkak të peshës së rendë të veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, sjelljen e tyre dhe këmbëngulësinë dhe bashkëpunimin në mes të pandehurve, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave shtohet dyshimi se me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ndikimit në dëshmitarë dhe prova, apo rreziku i përsëritjes së veprës penale apo kryerja e ndonjë vepre penale edhe më të rëndë.”
Frroku dhe Antoni dyshohen se kanë shfrytëzuar gjendjen tejet të rënduar financiare të viktimës dhe të njëjtit i kanë ofruar një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e kanë ngarkuar me kamata të larta dhe të papërballueshme.
“Qoki” si i dyshuar kryesor, po ashtu ka sulmuar fizikisht viktimën dhe të njëjtin e ka kërcënuar që të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij “në atë mënyrë që shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplasë telefonin për toke dhe e godet me grushta në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me mjet të fortë e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore“, kishte njoftuar Prokuroria.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.