Drejtoresha e Shëndetësisë në Suharekë, Besa Kuqi, ka bërë të ditur se sot kanë pranuar 110 vaksina antiCOVID nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa vaksinimi për punëtorët shëndetësorë do të bëhet nesër në QKMF duke filluar nga ora 09.00.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se numri i vaksinave të pranuara nuk i plotëson nevojat e personelit mjekësor, por me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave do të procedohet me kategoritë tjera sipas programit kombëtar të miratuar nga MSH dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Postimi i plotë:
Sot QKMF në Suharekë kemi pranuar vaksinat antiCOVID-19 nga IKSHPK.
Numri i vaksinave të pranuara është 110 dhe ky numër nuk i plotëson nevojat e personelit mjekësor. Ekipi i vaksinimit në QKMF nga nesër do të fillojë vaksinimin e personelit mjekësor kurse me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave antiCOVID-19 do të procedohet me kategoritë tjera sipas programit kombëtar të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe do të njoftoheni me kohë. Vaksinimi për punëtorët shëndetësorë do të realizohet nesër, më datën 07.04.2021 në QKMF duke filluar nga ora 09.00.
Ndryshe, Kosova në fund të muajit mars mori 24 mijë doza të AstraZeneca, duke qenë vendi i fundit në Evropë që nuk kishte nisur ende vaksinimin kundër COVID-19. Kontingjenti i dytë i vaksinave sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik do të ketë 108 mijë doza dhe pritet të arrijë brenda disa javësh.
Autoritetet kosovare kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.
Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grup-moshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).
Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Faza e dytë përfshihen grup-moshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.
Për fazën e parë dhe të dytë do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX. Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900.000 persona ose 70 % qind e mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën kundër COVID-19. /Gazeta Sinjali/