image Qeveria vendos që Qendra e Studenteve të bëhet karantinë

Kosovë

Shëndetësi/ Qeveria vendos që Qendra e Studenteve të bëhet karantinë

news image

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që Qendra e Studentëve të bëhet karantinë. Në vendimin e nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thuhet se Qendra e Studentëve në Prishtinë caktohet si hapësirë karantine.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë se Qendra Studentore do të shfrytëzohet si karantinë.

Në këtë vendim parashihet që personat për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë me sëmundje nga korona do të futen në karantinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 13-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka marrë vendim për caktimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë si hapësirë karantine. Sipas këtij vendimi, personat për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë me sëmundje nga Corona Virus COVID-19 futen në karantinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta Sinjali po ashtu thuhet se Qendra e studentëve kalon në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushimin e gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës me vendimin nr.01/1L të datës 15/03/2020. /Gazeta Sinjali/