image Qeveria vazhdon me shkarkime e shfuqizim vendimesh, pritet ballafaqim LVV-LDK për taksën

Kosovë

Mbledhja/ Qeveria vazhdon me shkarkime e shfuqizim vendimesh, pritet ballafaqim LVV-LDK për taksën

news image

Sot në orën 12:00 do të mblidhet qeveria e Kosovës. Në këtë mbledhje pritet të merren disa vendime dhe të shfuqizohen disa vendime të Qeverisë Haradinaj.

Ndonëse nuk është pikë e rendit të ditës, në mbledhjen e sotme pritet të futet edhe diskutimi për heqjen e taksës ndaj Serbisë, si detyrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht emisari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shkruan Gazeta Sinjali.

Diskutimin për heqjen e taksës e paralajmëroi mbrëmë zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili tha se nëse taksa do të hiqet tërësisht sot, atëherë Kurti dhe delegacioni kosovar do të pritej të martën në Washington për ta marrë ‘shtafetën’ e dialogut.

Hoti dhe partneri i Kurtit në koalicionin qeverisës, LDK-ja, e kanë kundërshtuar planin e kryeministrit për heqjen e taksës pjesërisht dhe me kushtëzime për BE-në e Serbinë. Të njëjtën e ka bërë edhe emisari Richard Grenell, duke ia tërhequr vërejtjen Kurtit se “është duke bërë gabim serioz”.

Ndër pikat e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të qeverisë do të jenë edhe shfuqizimi i favorit që ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ia kishte bërë këshilltarit të tij, Gazmend Abrashit me vendimin për normën e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë.

Në rendin e ditës, pikë tjetër është edhe “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore – Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovë – Infrakos”.

Qeveria gjithashtu pritet t’i ndërmarrë edhe hapat e parë drejt procesit të vettingut. /Gazeta Sinjali/