image Qeveria ua ndalon qarkullimin nga sot, presidenti ju kërkon të mos e zbatoni vendimin

Kosovë

Përplasja/ Qeveria ua ndalon qarkullimin nga sot, presidenti ju kërkon të mos e zbatoni vendimin

news image

Mbrëmë, qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj virtuale masat e reja kundër koronavirusit, në mesin e së cilave edhe pikën përmes së cilës kufizohet lëvizja e qytetarëve.

Sipas kësaj pike nga nesër qarkullimi ndalohet nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në 06:00.

I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit Hashim Thaçi. Ai në një konferencë vonë në mbrëmje ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizim të lëvizjes së lirë është anti kushtetues.

“Ka shkelje të të drejtave të njeriut, as policia, as organet e sigurisë nuk kanë obligim ta respektojnë këtë vendim anti kushtetues. Ky vendim nuk ka efekt juridik. Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese nesër. Thirrja ime është që qytetarët të rrinë në shtëpi edhe më shumë se që kanë qëndruar”, ka thënë Thaçi

Po ashtu, Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti-kushtetuese dhe sipas tij, askush nuk do ti pengojë për këtë.

Madje, ai kërkoi nga Policia e Kosovës dhe organet e sigurisë të mos e zbatojnë këtë vendim të qeverisë sepse sipas tij, edhe ata do të bëjnë vepër penale.

Thaçi ka thënë se vendimet e Qeverisë janë puro politike.

“Shkelja kushtetuese do të ketë ballafaqim me Gjykatën Kushtetuese. Kujdesuni për veten që të mos përhapet Koronavirusi. Thirrja ime është që të rrini edhe më tepër në shtëpi, të rritet kujdesi. Vendimet e Qeverisë janë puro politike për të shpëtuar lëkurën e vet. Ky është vendim shumë i rrezikshëm për demokracinë edhe për qytetarët”. /Gazeta Sinjali/