image Qeveria serbe ashpërson masat, ulë për 90 për qind numrin e armëve

Rajon

Qeveria serbe ashpërson masat, ulë për 90 për qind numrin e armëve

news image

Qeveria e Serbisë ka miratuar masa që kërkojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme që “urgjentisht të përgatisë amendamente për Ligjin për armët dhe municionet”.

Amendamentet, siç u tha në njoftimin e Qeverisë serbe më 5 maj, do të ashpërsojnë kritere për posedimin e armëve të shkurta të zjarrit dhe ata që nuk plotësojnë këto kritere strikte, parashikohet blerja e detyrueshme e armëve.

“Këto masa po miratohen për të ulur për 90 për qind numrin e armëve të shkurtra që janë në posedim të personave juridikë dhe fizikë”, u tha në njoftim.

Për më tepër, amendamentet e reja në ligj do të mundësojnë edhe kontrollet e detyrueshme të qytetarëve që kanë të drejtë të posedojnë armë, përfshirë edhe armë për gjueti.

Në kontrolle do të përfshihen kontrollet mjekësore, psikiatrike dhe psikologjike, por edhe teste të detyrueshme për substanca psikoaktive. Këto kontrolle do të bëhen çdo gjashtë muaj apo një vit.

Ministria e Punëve të Brendshme po ashtu do të shqyrtojë edhe ashpërsimin e kritereve për posedimin e armëve të gjuetisë.

Para masave, moratoriumi për marrjen e licencave për posedimin e armëve të shkurtra të zjarrit, që u miratua më 4 maj 2023, Ministria e Brendshme, siç është paralajmëruar, do të marrë të gjitha masat për të garantuar moratoriumin për dhënien e lejeve për armët e gjuetisë.

Ministria e Punëve të Brendshme do të ftojë publikisht qytetarët që ilegalisht kanë armë zjarri dhe pajisje shpërthyese që t’i dorëzojnë ato brenda një muaji, pa u përballur me ndonjë pasojë.

Qeveria serbe i miratoi këto masa, pasi ato paraprakisht u prezantuan gjatë një konference për media më 5 maj nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Serbia ka shpallur tri ditë zie për shkak të dy sulmeve me armë zjarri.

Sulmi i parë ndodhi më 3 maj, kur një nxënës vrau tetë nxënës të tjerë dhe rojën e shkollës. Ngjarja ndodhi në një shkollë fillore në qendër të Beogradit.

Një ditë më vonë, në vendbanimet afër Beogradit, një 21-vjeçar dyshohet se vrau tetë persona dhe plagosi disa të tjerë./REL

/GazetaSinjali/