image Qeveria publikon deklarimin e plotë të Kurtit pas takimeve në Bruksel

Politikë

Qeveria publikon deklarimin e plotë të Kurtit pas takimeve në Bruksel

news image

Qeveria e Kosovës ka publikuar deklarimin e plotë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas takimeve maratonike në Bruksel.

Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, praktikisht ka hequr dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Kurti pas takimeve në Bruksel:

Patëm sot tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve këtu në Bruksel, me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, z. Miroslav Lajcak.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua në njërën anë çështja marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në anën tjetër çështjet aktuale sepse kjo është mënyra se si nga takimi i 18 gushtit që kemi pasur këtu në Bruksel organizohen bisedimet në vijim. Pra, një herë marrëveshja finale dhe më pastaj edhe çështjet aktuale. Kur kemi ardhur në Bruksel kemi ardhur me një propozim konkret për një deklaratë të përbashkët, e cila nënkuptonte në paragrafin e parë zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre takimeve që kemi pasur sot, kemi qenë afër dakordimit, mirëpo assesi nuk u pranua nga pala serbe çështja e propozimit të Bashkimit Evropian, sepse ata nuk e konsiderojnë atë propozim si bazë të mirë për të zhvilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, siç këtë e bënë Qeveria e Republikës së Kosovës. Kemi qenë afër dakordimit në kuptimin që ne ishim pajtuar, që fazën në vijim të zbatimit të vendimit tonë për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës ta pezullojmë, pra gjobat, të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërkaq në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, me prodhimin, me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës.

Por, natyrisht kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë se për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E në propozimin që na e kanë sjellë neve, për deklaratën e përbashkët z. Borrell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra që ne po vijmë këtu, në Bruksel, për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023. Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, z. Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po them me keqardhje, sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris, në kuadër të Forumit për Paqe, z. Joseph Borrell tha që propozimi nuk është franko-gjerman, propozimi është i Bashkimit Evropian por i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë, propozimi i Bashkimit Evropian. Mirëpo sot, po them me keqardhje ai hoqi dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu, të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë; marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme, edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën. Pra, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por edhe nuk mund të shndërrohem në lider shtetëror që merren vetëm me çështje të targave, e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj, edhe jemi në këtë situatë çfarë ndodhemi tani dhe unë shpresoj që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale dhe tri trilaterale, nuk kemi ende një marrëveshje.

Faleminderit shumë.

/GazetaSinjali/