image Qeveria propozon draftrezolutë për ta larguar Thaçin nga dialogu me Serbinë

Kosovë

Qeveria propozon draftrezolutë për ta larguar Thaçin nga dialogu me Serbinë

news image

Grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë propozuar një draftrezolutë në lidhje me bisedimet me Serbinë.

Në këtë draftrezolutë janë paraqitur tri pika kryesore, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas kësaj draftrezolute, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, qeveria e ka mandatin të udhëheqë bisedimet ose dialogun me Serbinë.

Më poshtë gjeni draftrezolutën e plotë:

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës propozojnë:

DRAFTREZOLUTË

1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës aktualisht është duke u zhvilluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës në lidhje me raportet Kosovë- Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Gazeta Sinjali/