Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot do të mbledh kabinetin e tij qeveritar. Njëra nga pikat e rendit të ditës, skatësisht pika 2 e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i propozim vendimit për të proceduar Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Kuvendi i Kosovës ka rreth një muaj që është duke pritur komentet e ekzekutivit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, ani pse rastet me Covid 19 janë shtuar ndjeshëm në javët e fundit.
Megjithatë, sot pritet të shqyrtohet ky projektligj i iniciuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Kjo e fundit paralajmëroi se ekzekutivin do të pres vetëm deri të enjten, dhe se do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky projektligj urgjentisht.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri paralajmëroi të hënën se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të diskutohet Ligji për pandeminë. “Mbledhjen e ardhshme të qeverisë, që besoj që do të mbajmë të enjten do të trajtojmë Ligjin e Pandemisë”, deklaroi ai ditë më parë gjatë një paraqitje për media.
Ligji për Pandeminë po shihet i domosdoshëm edhe nga njohësit e sistemit të drejtësisë. Madje, fakti që është zvarritur ky ligj, të njëjtit thonë se ka ndodhur për shkak të inateve politike./Gazeta Sinjali/