image Qeveria po voton për ndarjen e mjeteve për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt dhe rreth 8 milionë eurove për pajisje mjekësore

Shëndetësi

Qeveria po voton për ndarjen e mjeteve për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt dhe rreth 8 milionë eurove për pajisje mjekësore

news image

Momentalisht, Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhjen elektronike me kërkesë të kryeministrit, Avdullah Hotit, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se gjatë kësaj mbledhje pritet të votohet propozim-vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për transferimin e mjeteve nga nënprogrami Zhvillimi i Resurseve Njerëzore në NPSH në kategorinë e shpenzimeve, shpenzime kapitale për ndërtimin e objektit të Spitalit të Ferizajt.

Po ashtu, në këtë mbledhje pritet të votohet edhe kërkesa me të cilën qeveria autorizon pagesën e avancit 100% në vlerë prej 7 milionë e 971 mijë e 43 euro e 11 centë, për prokurimin e pajisjeve mjekësore të nevojshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Kabineti qeveritar ka katër orë kohë për të votuar edhe për ose kundër propozim-vendimit për t’i dhënë autorizim Ministrisë së Shëndetësisë për nxjerrjen e Rregullores për kushtet e kompensimit dhe procedurat e tjera të angazhimit të përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë.

Pika e fundit e rendit të ditës, të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali, është shqyrtimi i Nismës për negocimin e marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim Ksv /017: Programi për Mbështetjen e Shëndetësisë në Kosovë, Faza II.

Nëse këto propozim-vendime nuk kundërshtohen brenda afatit prej 4 orësh, konsiderohen të aprovuara dhe procedohen për nënshkrim te kryeministri./Gazeta Sinjali/