Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike të martën mbrëma, në të cilën ka marrë disa vendime për ndarje të mjeteve buxhetore, përfshirë edhe 2 milionë euro për zbatimin e masës “Mbështetja e mërgatës”.
Sipas vendimit, kjo shumë do të shfrytëzohet për mbështetjen e linjave ajrore për destinacionet që i shërbejnë mërgatës, ka njoftuar Qeveria.
“Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 € (dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ‘Mbështetja e Mërgatës’ të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”, thuhet në njoftim.
Ky vendim vjen vetëm pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Po ashtu, në këtë mbledhje janë ndarë edhe mjete për pjesëmarrjen e Kosovës në gara dhe olimpiada ndërkombëtare.
Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës i janë ndarë 8 mijë euro për pjesëmarrje në Olimpiadën e 67-të të Matematikës, që do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shangai të Kinës.
Ndërkohë, “Kosova Global Talent Center” ka përfituar 70,876.79 euro për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad në New York të SHBA-së, në korrik 2026.
Po ashtu, Shoqatës së Kimistëve të Kosovës i janë ndarë 3,500 euro për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026 në Tashkent të Uzbekistanit.
Në mbledhje është aprovuar edhe lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!