Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ende nuk ka marr përgjigje zyrtare nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti lidhur me arsyet e rritjes së tarifave të sigurimit të automjeteve.
Kreu i ekzekutivit, të premtën, përmes një letre kërkoi sqarim nga guvernatori Mehmeti për argumentet që janë marr parasysh për këtë vendim që ka nxitur pakënaqësi tek qytetarët ndonëse sipas ligjit të BQK-së kryeministri nuk mund të ndërhyjë në vendimet e BQK-së.
“Qeveria është mes dy zjarreve. Drejt me u përzi nuk ka formalisht por një presion i opinionit ekziston dhe Qeveria është përfaqësuesve e të gjithëve. Është pak delikate kjo punë por të shohim.”, ka thënë për Gazetën Sinjali këshilltari ekonomik i kryeministrit në detyrë, Haki Shatri.
Sipas ligjit, BQK e informon qeverinë për vendimet e saj ndërsa i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Në rrethanat aktuale, vendimi është marr dhe ka hy në fuqi në kohën kur Kuvendi nuk është konstituuar ende dhe për pasojë kjo çështje nuk mund të shtrohet as si problem në seancë paralmentare. I vetmi mekanizëm për ta sfiduar këtë vendim ka mbetur proesioni qytetar përmes protestave i cili është vu në lëvizje për shkak të rritjes së menjëhershme të tarifës së sigurimit të automjeteve për 26 përqind.
Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri, thotë se problemi kryesor pse ka ardhur deri te kjo situatë e shtrenjtimit të menjëhershëm të sigurimit të automjeteve është për shkak të keqmenaxhimit dhe mos përcjelljes së duhur të shkallës së inflacionit në vend nga drejtuesit e BQK-së ndër vite.
“Sipas rregullave, BQK si monitorues i institucioneve financiare ku hyjnë edhe kompanitë e sigurimeve është dashtë që mos me lonë 20 vjet me kalu pa i harmonizu çmimet të paktën me shkallën e inflacionit. Është dashtë me përcjellë. Po të ish përcjellë ajo, vit pas viti edhe me u harmonizu tash nuk kish ndodhë përnjeherë me u bo ky ndryshim. Problemi më i madh mundet me konë veç pse u zhagitë kjo edhe tash rritja përnjëhërë e acaron opinionin”, thekson Shatri
Ai shton se kjo mund të jetë njëra prej arsyeve duke shtuar se arsye tjetër është edhe numri i veturave të paregjistruara që bëjnë dëme dhe të cilat skanë kujt ia faturojnë dëmin.
Dje, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka njoftuar për Gazetën Sinjali se gjatë ditës së sotme do t`i përgjigjet kryeministrit në kërkesën e tij për sqarim por ka bërë të ditur se vendimet e BQK-së janë të pavaruara.
Gjatë javës së kaluar, në Prishtinë janë mbajtur dy protesta kundër vendimit të BQK-së për rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve. Dy grupet sociale në facebook, që i kanë organizuar këto protesta “Speedomaniaks” dhe “Merakli të kerreve”, për ditët në vijim kanë paralajmëruar masa më radikale të shprehjes së pakënaqësisë kundër këtij vendimi. /Gazeta Sinjali/