COVID-19

Të infektuar

9688

Të shëruar

5480

Të vdekur

300

Sigurimi i automjeteve/ Guvernatori sfidon kryeministrin: Qeveria s`ka të drejtë të ndërhyjë në punën e BQK-së

news image

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk mund të ndërhyjë ndaj vendimit të BQK-së, lidhur me rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve prej 26 përqind. 

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Mehmeti ka thënë se BQK është e pavarur në punën e saj.

“Nuk mundet me ndërhy dhe nuk ka të drejtë me ndërhy. Ne jemi kategori kushtetuese dhe autonom në kryerjen e punëve tona. Qeveria nuk mundet me ndërhy në punën e Bankës Qendrore dhe ne jemi të pavarur në këtë”, ka deklaruar për Gazetën Sinjali, guvernatori Mehmeti.

Banka Qendrore e Kosovës, ndonëse i raporton dhe përgjigjet Qeverisë, e ka injoruar ekzekutivin për tu konsultuar paraprakisht lidhur me vendimin që ka prekur drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve duke ua vënë barrë mbi kurriz rritjen prej 26 përqind të tarifave për sigurimin e automjeteve.

Drejtuesit e këtij institucioni e kanë dëgjuar FMN-në ndërsa nuk e kanë parë të arsyeshme të konsultohen paraprakisht me Qeverinë, përkundër se kjo çështje ka nxitur pakënaqësi dhe protesta në Prishtinë.

“Nuk kemi nevojë me marr aprovim as me u konsultuar për vendimet që jemi të obliguar ne me i marr si BQK që janë të bazuara në ligjin për Bankën Qendrore. Ne jemi konsultuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me institucionet e tjera relevante. Ka qenë rekomandim i FMN-së që thjeshtë të ndërmerret një veprim ti tillë pasi kemi pasur një mision vlerësues prej FMN-së, javët e kaluara. Një prej rekomandimeve kryesore ka qene që të bëhet rishikimi I tarifave që nuk është bo nga viti 2001.”, ka theksuar për Gazetën Sinjali, kreu i BQK-së.

Të premten, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, përmes një letre i ka kërkuar Guvernatorit të BQK-së sqarime dhe informata të detajuara lidhur me  vendimin e këtij institucioni për ndryshimin e tarifave të sigurimeve.

“Duke u mbështetur në Nenin 32, pika 4 të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës dhe duke marrë për bazë reagimet e shumta të qytetarëve lidhur me këtë vendim, kërkoj nga ju një informatë të detajuar lidhur me arsyeshmerinë e këtij vendimi si: baza ligjore, rrethanat ekonomiko-financiare të operimit të kompanive të sigurimeve në Kosovë, problemet dhe faktorët në bazë të të cilave Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës e ka marrë një vendim të tillë. Pres një përgjigje sa më të shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në letrën e kryeministrit në detyrë Haradinaj

Guvernatori Mehmeti thotë se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht letrën pasi ajo është dërguar të premten vonë. Ai shprehet se, në momentin që do ta ketë në dorë letrën, të hënën, do t`i duhen vetëm pak minuta kohë për t`ia kthyer përgjigjen kreut të Qeverisë.

 “Pesë minuta mua më duhet kohë me ju përgjigj në kërkesë se, me të thonë të drejtën, unë e kam pa kërkesën vetëm në facebook që e ka postu kryeminisitri në detyrë, se ma shumë nuk di. Nëse është e ngjashme që ka të bëjë me një informatë lidhur me policat e sigurimit, mu më duhen pesë minuta kohë me ju përgjigj.”, thekson Mehmeti sipas të cilit në letra që do t`ia nis kryeministrit do të përmbajë të listuara të gjitha argumentet ligjore dhe ekonomike që i ka prezantuar edhe në konferencën për medie të mbajtur të premten.

Kreu i Bankës Qendrore të Kosovës, në pyetjen nëse do të shfuqizohet vendimi i fundit pas pakënaqësisë qytetare të manifestuar me protesta, nuk e pohon as e mohon një gjë të tillë. Ai deklaroi se delegacioni prej pesë protestuesve që ka pritur në takim gjatë javës së kaluar, ka mbetur që kërkesat t`i paraqes në mënyrë protokollare të hënën.

 “Ne do t`i diskutojmë dhe shqyrtojmë kërkesat e tyre. Nuk është vendim as i jemi as i zëvendësguvernatorit, por i një trupe të Bordit Ekzekutiv të BQK-së. Shqyrtohen dhe do të përgjigjem në kërkesat e tyre. Mu më është thënë se do t`i dorëzojnë të hënën”

Gjatë javës së kaluar, në Prishtinë janë mbajtur dy protesta kundër vendimit të BQK-së për rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve. Dy grupet sociale në facebook, që i kanë organizuar këto protesta “Speedomaniaks” dhe “Merakli të kerreve”, për ditët në vijim kanë paralajmëruar masa më radikale të shprehjes së pakënaqësisë kundër këtij vendimi. /Gazeta Sinjali/   


Shpërndaje artikullin