Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi se dy vite më parë ka dhënë pëlqimin e saj për një listë prej rreth 500 emrave të rrugëve, të cilat i ka propozuar Qyteti i Shkupit dhe të cilat mund t’i përdorë sipas gjykimit të tij për të ndryshuar emra rrugësh. Nëse dhe si do të përdoren emrat është tërësisht në kompetencën e Qytetit, thonë nga ekzekutivi. Në mesin e tyre është edhe riemërtimi “Adem Demaçi”.
Megjithatë, sipas tyre, riemërimi i rrugës në Çair nga “Brigada e Dytë Maqedonase” në “Adem Demaçi” mbetet i papërshtatshëm.
“Vendimi për të riemërtuar një rrugë që mban emrin e “Brigadës së Dytë Maqedonase” heroike është i papërshtatshëm. Ky mendim, si dhe vënia në dukje se emri i “Adem Demaçit”, si shkrimtar dhe figurë e shquar politike kosovare, është më e përshtatshme për të qëndruar në një rrugë krejtësisht të re, nuk do të thotë ndërhyrje në autoritetin e një komune, por krejt e kundërta, referim i autoritetit të komunës,” thuhet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Alsat.
Vendimi për riemërimin e rrugës ka kaluar dy vite më parë në këshillin e Komunës së Çairit, në këshillin e Qytetit të Shkupit dhe në Qeveri. Deri në promovimin e saj të premten, në prezencë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk ka pasur asnjë reagim.
Tani kryetarja e Qytetit të Shkupit Denalla Arsovska, ka iniciuar në këshill rikthimin e emrit të rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase”.
“Ftoj të gjithë këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit që të votojnë pro këtij propozim-vendimi, me të cilin do të korrigjohet padrejtësia ndaj 230 heronjve, pjesëtarëve të “Brigadës së Dytë Maqedonase” të të gjitha etnive që dhanë jetën për mbrojtjen e Maqedonisë,” deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Ish kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili ka qenë në pozitë kur janë miratuar ndryshimet e emrave të rrugëve thotë se “Brigada e Dytë Maqedonase” nuk është fshirë dhe ekziston akoma.
“Rruga “Brigada e Dytë Maqedonase” nuk është fshirë asnjëherë në Shkup. Deklaratat populiste nga cilado anë janë rezultat i mungesës totale të informacionit (ose manipulimit të vetëdijshëm) të opinionit. Ish rr. “Lovqenska 9”, tani është “Bridaga e Dytë Maqedonase”, tha Petre Shilegov, ish kryetar i Qytetit të Shkupit.
Sipas Komunës së Çairit e gjithë procedura ka qenë ligjore dhe sipas standardeve.