image Qeveria Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit që e përkrah edhe Biden: Nuk ka ligjshmëri

Politikë

Qeveria Kurti për Marrëveshjen e Washingtonit që e përkrah edhe Biden: Nuk ka ligjshmëri

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në fillim të muajit maj, kishte thënë se Administrata e Presidentit Joe Biden edhe zyrtarisht ka konstatuar se Marrëveshja e Washingtonit duhet të jetë baza për bashkëpunimin e mëtejshëm.

Kosnett kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’iu përmbahen zotimeve dhe të punojnë së bashku për realizimin e Marrëveshjes.

“Administrata e Biden-it ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë bazë për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’u përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, ka thënë Kosnett.

Megjithatë pavarësisht këtij qëndrimi zyrtar të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Qeveria e Kosovës thonë se Marrëveshja e Washingtonit s’ka ligjshmëri për të qenë në Qeveri.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka thënë Kryeziu për EO.

Edhe kryeministri Kurti pati premtuar se Marrëveshja e Washingtonit nuk do të implementohej, meqë sipas tij, ajo ishte nënshkruar nga një kryeministër i paligjshëm.

/GazetaSinjali/