image Qeveria kërkon miratimin e Kuvendit për të dërguar ushtarë të FSK-së në Ishujt Falklands

Siguri

Qeveria kërkon miratimin e Kuvendit për të dërguar ushtarë të FSK-së në Ishujt Falklands

news image

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 110-të në mënyrë elektronike, ku mori edhe disa vendime.

Njëra prej vendimeve ishte edhe kërkesa për miratimin e Kuvendit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Sipas kësaj kërkese, 7 pjesëtarë të FSK-së pritet të dërgohen në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands.

Ky mision do të zgjasë deri në tri vjet, me mundësi vazhdimi, ku FSK-ja në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

“Vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falklands. Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

/GazetaSinjali/