Kanë kaluar gati dy muaj që kur Qeveria Kurti, tani në detyrë, mori vendim për ricaktimin e sekretarëve të përgjithshëm të ministrive të cilat u prekën nga riorganizimi i qeverisë, mirëpo ricaktimi i tyre nuk është bërë akoma, shkruan Gazeta Sinjali.
Andaj, kjo vonesë ka nxitur sekretarët e përgjithshëm të këtyre ministrive t’i drejtohen me letër kryeministrit në detyrë. Në shkresën e siguruar nga Gazeta Sinjali ata kanë kërkuar nga Kurti zbatimin e vendimit të 19 shkurtit, konkretisht pikës 3 të këtij vendimi, sipas të cilës:
“Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë mundësinë e ricaktimit të Sekretarëve të Përgjithshëm nga pika 2 e këtij vendimi në pozita ekuivalente apo do t’i trajtojë sipas rregullimit ligjor për nëpunësit tepricë, në pajtim me legjislacionin në fuqi”.
“Meqenëse, ka kaluar më shumë se një muaj që kur është marrë vendimi nga Qeveria, për kalimin e sekretarëve të përgjithshëm në listën tepricë dhe ende nuk kemi asnjë njoftim për ndërmarrjen e veprimeve për ricaktim të sekretarëve të përgjithshëm, ne tanimë e pamë të arsyeshme që të ju drejtohemi me këtë shkresë. Vlen të theksohet se kemi qenë në pritje të zbatimit të vendimit, respektivisht të ricaktimit, ashtu siç është paraparë në pikën 3 të vendimit të Qeverisës të Republikës së Kosovës të datës 19 shkurt 202”, thuhet në shkresën e tyre.
Ani pse, pika 1 e këtij vendimi e cila thotë se sekretarët e ministrive të prekura nga riorganizimi i qeverisë, kalojnë në listën tepricë, ishte bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil, sekretarët thonë se një e tillë, sipas këtij ligji dhe rregullores për nëpunësit civilë tepricë, bëhet vetëm atëherë kur dështojnë të gjitha përpjekjet për sistemimin e tyre në pozita të njëjta ose ekuivalente, respektivisht kur brenda institucioneve të Republikës së Kosovës nuk ka pozitat e njëjta të lira.
Por, sipas tyre, tani në institucionet e Kosovës ka pozita të lira për ta.
“Me këtë rast, siç e dini edhe ju, në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës ka pozita të lira të sekretarëve të përgjithshëm, gjithashtu ka edhe pozita të lira ekuivalente, përkatësisht pozita të nivelit të lartë drejtues, në të cilat mund të ricaktohen sekretarët e përgjithshëm”, thuhet në shkresën e tyre drejtuar kryeministrit në detyrë.
Andaj, përmes kësaj letre, sekretarët e përgjithshëm kanë kërkuar nga Kurti ricaktimin e tyre në pozitat e lira të sekretarëve të përgjithshëm.
“Kërkojmë t’i ndërmerrni veprimet e nevojshme ligjore për ricaktimin e sekretarëve të përgjithshëm, në pozitat e lira të sekretarëve të përgjithshëm në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në letrën e tyre.
Në fund të kësaj shkrese, sekretarët e përgjithshëm i kanë ofruar gatishmërinë e tyre për ndihmën e nevojshme për përballimin e gjendjes së krijuar nga koronavirusi.
“Duke parë vështirësitë me të cilat po ballafaqohet njerëzimi në mbarë botën e gjithashtu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës në luftimin e pandemisë, ju dëshirojmë suksese në ballafaqimin me këtë pandemi, në këtë drejtim shprehim gatishmërinë për kontributin nga ana jonë në këtë gjendje të cilën po përballemi dhe krejt në fund, ne sekretarët e përgjithshëm shprehim gatishmërinë tonë për të ofruar ndihmën e nevojshme në çfarëdo forme që ju e shihni të arsyeshme”, përfundon shkresa e tyre.
Kujtojmë që vendimi i Qeverisë Kurti për ricaktimin e sekretarëve të përgjithshëm u mor pas riorganizimit të ministrive me rastin e votimit të zgjedhjes së kryeministrit, zëvendëskryeministrave e ministrave të kësaj qeverie.
Riorganizimi i Qeverisë preku Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, si dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit./Gazeta Sinjali/