image Qeveria e re në Mal të Zi, Abazoviç pret ndarjen e dikastereve

Rajon

Qeveria e re në Mal të Zi, Abazoviç pret ndarjen e dikastereve

news image

I mandatuari për formimin e ekzekutivit të ri në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, njëherësh dhe udhëheqës i Lëvizjes Qytetare URA, ka njoftuar se shumë shpejt vendi mund të bëhet me qeveri të re.

Gjatë një konference për shtyp në Podgoricë, ai tha se ka njoftuar Kuvendin e Malit të Zi për marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e qeverisë së re. Abazoviç bëri të ditur se kabineti i tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Parlamenti i Malit të Zi.

Abazoviç, i cili pritet të jetë në rolin e kryeministrit, nuk zbuloi përbërjen e kabinetit të ri, por vetëm tha se do të ketë 20 ministra dhe 4 nënkryetarë.

Qeveria do të përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro serbe, Partia Socialdemokratike dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Por, do të ketë dhe mbështetje parlamentare nga Partia Demokratike e Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç.

Seanca për votëbesimin e qeverisë pritet të mbahet javën e ardhshme.  

/GazetaSinjali/